Sa i kushtoi skualifikimi Juventusit? – Humbet 454 milionë dollarë në vlerë tregu. Ajax rritet me 8.8%
Aksionet e klubit të futbollit Juventus ranë me më shumë se 24%, pasi ekipi italian u skualifikua nga kampionati elitë i Europës pas humbjes me holandezët e Ajax. Nga ana tjetër, aksionet e klubit holandez të Ajaxit patën rritje me 8.8% duke e çuar vlerën totale në treg në 342.8 milionë euro.
Juventus, që humbi rreth 400 milionë euro në vlerë tregu, fitoi avantazh në minutën e 28 me anë të Cristiano Ronaldos, por të rinjtë e Ajax përmbysën gjithçka me golat e 21-vjeçarit Donny van de Beek dhe 19-vjeçarit Mathijs de Ligt, që çuan klubin në gjysmë finale të Ligës së Kampionëve, për të parën herë që prej vitit 1997. Ajax ka tashmë mundësinë që të rrisë të ardhurat vjetore me më shumë se 30%. Arritja në gjysmë finale i ka sjellë Ajax 12 milionë euro nga shpërblimi i UEFA-s, ndërkohë që 19 milionë euro të tjera janë ende në lojë nëse klubi do të ngrejë kupën.
Ajax gjeneroi të ardhura prej 92 milionë euro në vitin 2018, sipas përllogaritjeve të Bloomberg. Për Juventus, klubin e zotëruar nga familja Agnelli, përbën një hap mbrapa, pasi blerja e Ronaldos vitin e kaluar shihej si një dëshirë për të fituar këtë kupë. Kjo është hera e parë në 9 vite që lojtari portugez nuk merr pjesë në një gjysmë finale të Champions League.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.