Samiti Trump-Kim, pa marrëveshje – Korea e Veriut kërkon heqjen e sanksioneve, kundërshton SHBA
Presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi në konferencën për mediat pas mbylljes së samitit me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, se nuk u arrit një marrëveshje, për shkak të kërkesave të papranueshme për të hequr sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trump dhe Kim u larguan nga hoteli ku u zhvilluan bisedimet pa marrë pjesë në një drekë të planifikuar. Më herët dy liderët shprehën shpresat e tyre për progres në bisedime, për përmirësimin e marrëdhënieve dhe për çështjen kyçe, denuklearizimin e vendit komunist.
“Në thelb ata kërkonin heqjen e sanksioneve në tërësinë e tyre, por ne nuk mund ta bënim këtë. Ata ishin të gatshëm të çmilitarizonin një pjesë të mirë të zonave që ne kërkuam, por nuk mund të hiqnim dorë menjëherë nga sanksionet. Kështu që do të vijojmë të punojmë. Zhvillimi më i rëndësishëm që më premtoi Kim, ishte se nuk do të testojnë raketa apo armë të tjera bërthamore. Shpresoj që kjo të jetë e vërtetë, por njëkohësisht do të vijojmë bisedimet.”
Dështimi për të arritur një marrëveshje shënon një tërheqje për Trump, i cili gjenden nën presionin e politikanëve në SHBA, për shkak të lidhjeve me Rusinë dhe dëshmisë së Michael Cohen, ish avokatit personal, i cili e akuzoi presidentin se ka thyer ligjin, ndërkohë që është në detyrë. Mbetet ende e paqartë se kur do të jetë takimi i radhës mes Trum dhe Kim Jong Un.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.