Serbia formon qeverinë e re – Vuçiç mban në detyrë kryeministren aktuale Brnabic
Presidenti i Serbisë të hënën propozoi që kryeministrja aktuale Ana Brnabic të qëndrojë në detyrë, duke hapur rrugën për formimin e një qeverie të re më shumë se tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
Udhëheqësi autokratik Aleksandar Vuçiç njoftoi zgjedhjen e tij në një konferencë shtypi që pasoi një takim të Partisë së tij Populiste Progresive serbe, e cila fitoi një shumicë dërrmuese në votimet e 21 qershorit. “Unë e konsideroj Ana Brnabic shumë të aftë”, tha ai.
Votimi i qershorit në Serbi ishte i pari që u mbajt në Europë pas shpërthimit të koronavirusit. Autoritetet serbe janë përballur me kritika për heqjen e shumicës së masave anti-virus para votimit, të cilat çuan në një rritje të infeksioneve të reja.
Shumë grupe opozitare serbe bojkotuan votimin në qershor, duke thënë se nuk ishte i lirë dhe i drejtë për shkak të kontrollit të ngushtë të partisë në pushtet ndaj medias kryesore dhe presionit mbi disidencën.
Brnabic u bë kryeministrja e parë femër dhe haptas homoseksuale e Serbisë në 2017, pasi Vuçiç dha dorëheqjen nga posti për të marrë pjesë në zgjedhjet presidenciale. Qeveria e Brnabic zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Europian duke mbajtur gjithashtu lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën.
Nuk ishte menjëherë e qartë se kur ligjvënësit e Serbisë do të votojnë për të konfirmuar Brnabic dhe qeverinë e saj. Ajo ende nuk ka zbuluar përbërjen e kabinetit të ardhshëm.
Dy dekada më parë, Serbia largoi udhëheqësin e atëhershëm autokratik Sllobodan Millosheviç në një kryengritje popullore pas vitesh luftërash dhe sanksionesh ndërkombëtare. Kritikët e Vuçiç, një ish-ministër qeveritar i epokës së Millosheviçit, e akuzojnë atë për shtrëngimin e lirive demokratike të fituara me vështirësi. Ai e ka mohuar këtë. (AP)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.