SHBA monitoron juanin – Mnuchin: Thesari po vlerëson nëse Kina ka manipuluar valutën
Shtetet e Bashkuara po monitorojnë dobësimin e fundit të valutës kineze dhe do të vlerësojnë nëse juani është manipuluar, sipas Sekretarit të Thesarit Steven Mnuchin. Mnuchin tha se dobësimi i juanit do të rishikohet në raportin gjysmë-vjeçar të Thesarit për manipulimin e valutave. Ndërsa pyetej nëse Kina po përdor valutën si një armë në luftën tregtare me SHBA, Mnuchin tha se nuk ka dyshim që zhvlerësimi i valutës krijon një avantazh të padrejtë për vendin.
Komentet e Mnuchin kanë shtuar mundësinë e etiketimit të Kinës si një manipulues të valutës për të parën herë që prej nisjes së detyrës së Trump në Janar të 2017-ës. Thesari është përmbajtur në vendosjen e kësaj etikete pavarësisht premtimeve të Trump gjatë fushatës. Mnuchin tha se arsyeja është pjesërisht për shkak se juani është rritur në mënyrë të qëndrueshme deri në fillim të këtij viti.
Shumë politikanë në SHBA dhe firma prodhuese janë ankuar prej kohësh për zhvlerësimin e valutës kineze, ndërkohë që firmat e vendit përfitojnë me një çmim të padrejtë në tregtinë ndërkombëtare. Trump akuzoi në një publikim në Twitter Kinën dhe Bashkimin Europian për manipulimin e valutave të tyre, duke thënë se po nxisin artificialisht konkurrueshmërinë.
Ai përsëriti gjithashtu shqetësimet se cikli tkurrës monetar i Rezervës Federale po sjell rritjen e dollarit dhe shtoi se është gati për të vendosur tarifa në 500 miliardë dollarë mallra kineze. Juani kinez ka humbur 7.5% të vlerës në nisje të tremujorit të dytë, duke prekur 6.7 kundër dollarit amerikan.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.