Shfaqja e virusit për herë të parë në SHBA / Epidemiologu konfirmon studimet mbi infeksionin që në Dhjetor 2019
Epidemiologu i lartë në SHBA, Dennis Carroll, ka konfirmuar besueshmërinë e një studimi që tregon se Covid-19 mund të jetë shfaqur në Shtetet e Bashkuara më herët se infeksioni i dokumentuar. Një studim i fundit i bërë nga Institutet Kombëtare të Shëndetësisë, tregoi se infeksioni ka nisur në SHBA në nivel të ulët që në Dhjetor 2019. Studimi bazohet tek 24,000 teste të gjakut të mbledhura në fillim të vitit 2020. “Kjo është në përputhje edhe me raporte të tjera që kemi parë nga Europa, madje edhe në SHBA, që sugjerojnë një qarkullim më të hershëm të virusit, përpara identifikimit fillestar në Janar”- tha Dennis Carroll, ish drejtori i Agjencisë Amerikane të Zhvillimit Ndërkombëtar (USAID) për njësinë e Pandemive.
Carroll theksoi se ndërsa hulumtimet mbi origjinën e Covid-19 kanë qenë nën vëmendjen botërore, disa njerëz po e përdorin si një mjet për të përfituar pikë politike. “Në mungesë të provave, kemi opinione, dhe opinionet, fatkeqësisht, nxiten më shumë nga politika se sa qëllimet e mira”- tha ai. Epidemiologu theksoi gjithashtu se pandemia mund të zbutet nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta mes vendeve në të gjithë botën.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.