S&P zhvlerëson Kinën – Ul vlerësimin sovran në A+, thekson rreziqet nga rritja e borxhit
Agjencia Standard & Poor’s uli vlerësimin e kreditit sovran të Kinës për të parën herë që prej vitit 1999, duke theksuar rreziqe nga rritja e nivelit të borxhit. Agjencia rishikoi gjithashtu perspektivën për vendin, në të qëndrueshme nga negative.
Vlerësimi sovran u ul me 1 gradë, në A+ nga AA-, raportoi agjencia. Analistët ulën gjithashtu vlerësimin për 3 banka të huaja që operojnë në mënyrë primare në Kinë, duke thënë se HSBC, Hang Seng dhe DBS nuk kanë gjasa ti shmangen falimentimit nëse vendi dështon të paguajë borxhin sovran.
“Periudha e zgjatur e rritjes së kreditit në Kinë ka shtuar rreziqet ekonomike dhe financiare. Megjithëse kjo rritje e kreditit ka kontribuar në rritjen e fortë të Produktit të Brendshëm bruto, stabiliteti financiar është përkeqësuar gjithashtu”, shkruan Standard & Poor’s. Zhvlerësimi, që përbën lëvizjen e dytë nga agjencitë kryesore për këtë vit, pasqyron zbehjen e besimit se Kina mund të arrijë një ekuilibër midis mirëmbajtjes së rritjes ekonomike dhe pastrimit të sektorit financiar.
Zhvlerësimi do të shqetësojë gjithashtu zyrtarët e partisë komuniste, që do të zhvillojnë së shpejti riorganizimin e 5-vjeçar të lidershipit. Lëvizja do të ketë ndikim edhe në financimin e sipërmarrjeve kineze, ndërkohë që vlerësimi i korporatave nuk mund të jetë më i lartë se ai sovran. Moody’s uli vlerësimin e ekonomisë së dytë më të madhe në botë në A1 në muajin Maj, duke theksuar të njëjtat shqetësime.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.