Tkurrja monetare botërore-Çfarë pritet të bëjnë bankat qendrore më të mëdha në botë
Nga Klevis Llaha
Bankat qendrore në të gjithë botën kanë nisur heqjen e stimujve monetarë, që u prezantuan një dekadë më parë për të shpëtuar ekonominë botërore nga recesioni. Norma bazë e interesit në Shtetet e Bashkuara qëndron tashmë në nivelin më të lartë që prej vitit 2008 dhe Rezerva Federale ka sinjalizuar një ndërhyrje tjetër në muajin Dhjetor. Tregjet në zhvillim, nga Argjentina e deri te India, kanë reaguar për të mbrojtur valutat e tyre.
Në total, 10 nga 22 bankat qendrore që monitorohen nga Bloomberg kanë rritur normat e interesit që prej muajit Korrik. Megjithatë, nuk mund të thuhet ende se politikat monetare në të gjithë botën janë tkurrur dhe ka një divergjencë mes bankave qendrore. Banka Qendrore Europiane do të blejë borxh në treg të hapur deri në muajin Dhjetor dhe ka premtuar se nuk do të ndryshojë normat e interesit deri në verën e 2019-ës. Banka e Japonisë vazhdon të injektojë stimuj të mëdhenj në ekonominë e tretë më të madhe në botë, ndërsa Banka e Kinës qëndron në alarm ndaj ngadalësimit ekonomik.
Rezerva Federale në SHBA
Norma bazë e interesit në Shtetet e Bashkuara qëndron aktualisht në 2-2.25%. Rezerva Federale pritet të rrisë interesat me 25 pikë bazë në muajin Dhjetor, duke ndërmarrë një hap tjetër drejt normalizimit të politikave monetare. Politikëbërësit kanë parashikuar 3 rritje të tjera në vitin 2019, çka do ta çonte normën bazë të interesit në 3.25%. Megjithatë, priten ndryshime në kurs, në bazë të drejtimit që do të ndjekë ekonomia më e madhe në botë. Kryetari i sistemit bankar qendror, Jerome Powell, ka thënë se banka qendrore po përpiqet të arrijë një ekuilibër midis rritjes së shpejtë të interesave, që mund të çojë ekonominë në recesion, dhe rritjen tejet të ngadaltë të tyre, çka do të rrezikonte fuqizimin e inflacionit dhe fryrjen e aktiveve në bursa.
Kjo detyrë ishte tejet e lehtë për politikëbërësit në SHBA, kur norma e interesit qëndronte pranë zeros dhe i vetmi drejtim ishte për rritje. Sa më afër interesat të shkojnë drejt nivelit neutral, aq më e vështirë bëhet detyra për Rezervën Federale. Sipas analistëve, axhenda e bankës qendrore do të vështirësohet nga fuqizimi i dollarit, reduktimi i zotërimeve në bilanc të Rezervës Federale dhe kurba e “sheshtë” e yield-it.
Sfida për politikëbërësit do të jetë shmangia e një goditjeje ndaj ekonomisë, ndërkohë që largohen stimujt monetarë dhe fiskalë. Sipas Bloomberg, banka mund të presë në takimin e Dhjetorit, ndërkohë që merr më shumë informacion mbi luftën tregtare, kurbën e yield-it, rritjen ekonomike për gjysmën e dytë të vitit si dhe zgjedhjet e mesmandatit.
Banka Qendrore Europiane
Institucioni qendror monetar në Frankfurt, mban aktualisht një normë interesi për depozitat bankare në -0.4%. Banka po vazhdon me planet për të përfunduar programin e blerjes së borxhit në treg të hapur në Dhjetor, ndërkohë që inflacioni po arrin objektivin.
Presidenti i BQE, Mario Draghi, ka vënë në dukje rritjen e shpejtë të presioneve në çmime dhe banka qendrore ka deklaruar se nuk do të rrisë normat e interesit deri në verën e vitit 2019. Investitorët presin një ndërhyrje në fund të vitit të ardhshëm. Megjithatë, politikëbërësit në Frankfurt kanë theksuar rreziqet si përhapja e efekteve të luftës tregtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, trazirat në tregjet në zhvillim dhe rreziku i një dalje pa marrëveshje të Britanisë nga Bashkimi Europian. Vëmendja do të shkojë më vonë te zëvëndësimi i Mario Draghit, pasi i mbaron mandati.
Sipas analistëve të Bloomberg, rimëkëmbja e ekonomisë, rritja e pagave dhe përshpejtimi i inflacionit, i kanë dhënë mjaftueshëm besim Bankës Qendrore Europiane që të përfundojë programin e stimujve në Dhjetor dhe të rrisë normën e interesit në Shtator të 2019-ës. Sipas Bloomberg, pritet një rritje me 15 pikë bazë e normës së interesit për depozitat dhe me 25 pikë bazë 6 muaj më vonë.
Banka e Japonisë
Banka Qendrore e ekonomisë së tretë më të madhe në botë, mban një normë interesi prej -0.1% dhe ka caktuar një objektiv për yield-in 10-vjeçar në 0%. Banka e Japonisë po vazhdon me stimuj gjigantë monetarë ndërkohë që homologët po nisin përfundimin e politikave që janë projektuar për periudha të krizës. Pas disa ndryshimeve të qasjes në politike gjatë muajit Korrik, nuk pritet ndonjë ndërhyrje së shpejti, duke qenë se inflacioni qëndron poshtë objektivit prej 2%. Ekonomistët presin tashmë që guvernatori, Haruhiko Kuroda, të mbajë kurbën e yield-it drejt zeros deri në fund të 2019-ës, me normën afat shkurtër të interesit në -0.1%.
Banka e Japonisë bëri të ditur në muajin Korrik se do të lejojë yield-in 10-vjeçar të lëvizë në mënyrë më të lirë. Sipas analistëve të Bloomberg, Banka e Japonisë do të jetë e fundit në heqjen e stimujve, duke marrë parasysh inflacionin e ngadaltë dhe rreziqet ekonomike nga proteksionizmi në SHBA dhe ngadalësimi i partnerit kryesor tregtar, Kinës. Paralelisht, janë shtuar disbalanca si fryrja e bilancit të bankës qendrore, përkeqësimi i tregut të titujve të borxhit dhe kufizimet ndaj përfitueshmërisë së bankave rajonale.
Banka e Anglisë
Banka e Anglisë mban një normë referencë interesi prej 0.75%. Guvernatori, Mark Carney, që sapo zgjati mandatin për të ndihmuar ekonominë përgjatë Brexit, duhet të sigurohet përpara se të rrisë përsëri normën bazë të interesit. Ai, së bashku me Komisionin e Politikave Monetare, votuan për të rritur kostot e huamarrjes në nivelin më të lartë që prej vitit 2009, gjatë Gushtit, dhe tregjet presin tashmë një ndërhyrje në Maj të vitit të ardhshëm.
Problemi për institucionin është se çfarë do të ndodhë pas 29 Marsit 2019, kur Mbretëria e Bashkuar të dalë zyrtarisht nga Bashkimi Europian. Nëse tranzicioni do të jetë i turbull, Carney ka paralajmëruar se Banka eAnglisë mund të mos ketë kapacitet që të lehtësojë politikat monetare, siç ndodhi pas referendumit në vitin 2016. Sipas ekonomistëve, Banka e Anglisë ndodhet në dilemë. Nga njëra anë, presioni në çmime mund të rritet më shpejt se ç’parashikohej, ndërsa nga ana tjetër, ekziston rreziku i Brexit dhe daljes nga Europa pa marrëveshje.
Banka e Kinës
Banka Popullore e Kinës mban një normë bazë të interesit në 4.35%. Ndërkohë që ekonomia përballet me kërcënimin e luftës tregtare dhe uljen e levës financiare, Banka Qendrore ka ndërmarrë një qasje më lehtësuese monetare. Banka e Kinës është përmbajtur tashmë për 2 tremujore radhazi, që të ecë me ritmin e tkurrjes monetare në Shtetet e Bashkuara.
Rritja e interesave nga Rezerva Federale e bën më të shtrenjtë borxhin në dollarë që mbahet nga Kina. Për të mbështetur ekonominë, Banka Qendrore ka ofruar lehtësim monetar, gjatë muajve të fundit, përfshirë uljen e rezervës së detyrueshme dhe kërkesat e kapitalit dhe ka shtuar likuiditetin. Ndikimi i këtyre politikave, deri më tani, ka qenë i limituar. Shumë firma, veçanërisht ato të vogla, po hasin vështirësi për të gjetur financim.
Analistët presin më shumë mbështetje monetare për pjesën e mbetur të vitit 2018, veçanërisht prej përkeqësimit të luftës tregtare me SHBA. Sipas Bloomberg, mund të ketë një tjetër ulje të normës së rezervave të detyrueshme që bankat dytësore mbajnë te ajo qendrore.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.