Tregtia online e “falsos” – Vlen $1.7 trilionë në vit, do rritet me 70% në 5 vite
Tregu i mallrave të falsifikuar online vlen rreth 1.7 trilionë dollarë në vit, thonë të dhënat e fundit. Gjatë 5 viteve të ardhshme projektohet një rritje e kësaj industrie me plot 70%.
Alibaba është padiskutim motori më i madh në botë i shpërndarjes së mallrave të falsifikuar që shiten online. Alibaba projekton që të arrijë një kapitalizim tregu prej 1 trilionë dollarësh brenda 2020, duke mundur kështu Apple, Alphabet, Amazon apo Facebook.
Kjo lloj tregtie, për fat të keq mund të marrë hov në të ardhmen edhe nga përdorimi I Bitcoin si mjet pagese. Nuk duhet harruar fakti se Bitcoin, në fillimet e tij, u përdor ekskluzivisht për pagesën e produkteve apo shërbimeve të jashtëligjshme në atë që njihet si Deep Web.
Konsumatori nga ana tjetër po I jep hov industrisë. Kërkesa në nivel global po rritet ndjeshëm për mallrat e falsifikuar, kryesisht nga fakti se, konsumatorët po kërkojnë gjithmonë e më shumë mallra më të lirë.
Që nga pajisjet elektronike e deri të pjesët e makinave apo edhe ilaçet, industria e mallrave të falsifikuar nuk po njeh kufij. Vlerësohet se 99% e aksesorëve dhe adaptorëve për iPhone nuk janë të sigurta për t`u përdorur.
Një raport i disa kohëve më parë, i Europol dhe zyrës europiane të patentave tregonte se, Shqipëria është porta kryesore e hyrjes së mallrave kontrabandë në Europë dhe se në vend mbeten për konsum të brendshëm një pjese e madhe e këtyre mallrave të falsifikuar.
Me përhapjen e tregtisë online, një pjesë e këtyre mallrave kanë filluar të tregtohen në këtë mënyrë edhe në vendin tonë, duke shfrytëzuar kostot më të ulta, lehtësinë e transportit, por edhe hapësirat më të mëdha që ka për të manovruar me shmangien e taksave, e kryesisht doganën.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.