Vaksina e AstraZeneca kundër Omicron – Gjeneron reagim më të fortë të antitrupave nëse merret si dozë e 3-të
AstraZeneca bëri të ditur se të dhënat paraprake nga prova që ka zhvilluar me vaksinën e Covid-19, Vaxzevria, treguan se gjeneron reagim më të fortë të antitrupave kundër variantit Omicron dhe të tjerëve, përfshirë Beta, Delta, Alpha dhe Gamma, nëse merret si dozë e tretë. Reagimi më i fortë imunitar u vu re tek njerëzit që ishin vaksinuar më parë me AstraZeneca, apo një vaksinë me mARN si Pfizer apo Moderna, sipas kompanisë, që shtoi se do të dorëzojë të dhënat tek rregullatorët botërorë.
AstraZeneca e ka zhvilluar vaksinën në bashkëpunim me hulumtues nga Universiteti i Oksfordit dhe studimet në laborator në muajin e fundit zbuluan se një kurs me 3 doza i Vaxzevria, ishte efektiv kundër variantit të ri Omicron. Këto të dhëna janë të parat të publikuara nga një kompani nga provat për dozat nxitëse të vaksinës. AstraZeneca deklaroi se kjo shton provat gjithnjë e në rritje që mbështesin një dozë të tretë të vaksinës, që nuk ka lidhje me regjimin fillestar.
“Këto studime të rëndësishme tregojnë se një dozë e tretë e Vaxzevria pas 2 dozave fillstare të të njejtës vaksinë, apo pas vaksinave me teknologji të mARN dhe atyre me version të paaktivizuar të virusit, nxit fort imunitetin kundër Covid-19”- tha shefi i grupit të vaksinës tek Universiteti i Oksfordit, Andreë Pollard. Një studim i madh britanik zbuloi në Dhjetor se vaksina e AstraZeneca rrit antitrupat kur jepet si një dozë nxitëse pas një vaksinimi fillestar me vaksinat e veta, apo Pfizer. Megjithatë, studimi përfundoi se vaksinat me mARN të prodhuara nga Pfizer dhe MOderna, japin nxitjen më të madhe të antitrupave, kur jepen si doza nxitëse.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.