Venezuela rrit pagën minimale – Maduro: Do rritet me 150%. FMN: Inflacioni pritet në 10,000,000%
Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, njoftoi këtë javë se rritja e pagës minimale në vend me 150% do të bëhet efektive duke nisur nga 1 Dhjetori. Paga minimale për punëtorët do të rritet në 4,500 bolivarë, nga 1,800 bolivarë që është aktualisht. Kjo do ta çonte pagën e re minimale në Venezuelë në ekuivalenten e rreth 10 dollarëve amerikanë. Presidenti tha se paga e re do të arrijë sa gjysma e një monedhë petro, që është kriptovaluta e Venezuelës e krijuar për të kapërcyer sanksionet amerikane.
“Duke nisur nga dita e nesërme, data 1 Dhjetor, vlera e pagës minimale dhe e pensioneve do të jetë 4,500 bolivarë nga 1,800. Paga minimale do të jetë 4,500 dollarë, që është sa gjysma e çmimit të një kriptomonedhe Petro”, tha Maduro.
Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, norma e inflacionit në Venezuelëë pritet të arrijë në 10,000,000% vitin e ardhshëm. Ekonomia e Venezuelës është përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme që prej kolapsit të çmimeve të naftës në vitin 2014, gjë që e bëri të pamundur për të drejtuar sistemin socialist me subvencione dhe kontrolle të çmimeve. Në muajin Korrik, Fondi Monetar Ndërkombëtar e krahasoi hiperinflacionin në Venezuelë, me atë të Gjermanisë në vitin 1923 dhe të Zimbabves në fund të viteve 2000.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.