Vuçiç “katapultohet” në presidencë, një student del i treti
Alexandar Vuçiç, është zyrtarisht fituesi i zgjedhjeve në Serbi, duke u katapultuar nga posti i Kryeministrit të vendit, në atë të Presidentit. Fitorja e tij nuk vjen aspak surprizë, në një kohë që nuk kishte asnjë pretendent serioz për të mposhtur Kryeministrin.
Risia e vetme, nëse mund të quhet e tillë, është fakti se, Vuçiç fitoi që në raundin e parë, duke shpartalluar të gjithë rivalët. Lideri i konservatorëve mori 55% të votave, ndërkohë që, ndjekësi më i afërt, Sasa Jankovic, arriti të merrte vetëm 16%.
Pavarësisht se, posti i Presidentit është më shumë formal, Vuçiç pritet të dominojë vendimarrjen në Serbi, duke qenë se kontrollon edhe partinë në qeveri, atë Progresive.
Rezultati i zgjedhjeve të së Dielës është poshtërues për partitë opozitare që akuzonin Vuçiç për pozita autoritare. Nga ana tjetër, ish Kryeministri, dhe tashmë Presidenti i ri i Serbisë, e bëri të qartë se, ndryshimi i rolit të tij, nuk do të sjellë asnjë ndryshim në politikën e jashtme të Serbisë, sidomos sa i përket pozicionimit mes Bashkimit Europian dhe Rusisë, por edhe Ballkanit.
Ditën e zgjedhjeve, Vuçiç deklaroi se, prioriteti numër një i presidencës së tij do të jetë stabiliteti në Ballkan dhe zhvillimi ekonomik.
Zgjedhjet e së Dielës në Serbi, prodhuan edhe një surprizë tjetër; vendin e tretë të studentit 25 vjeçar, Luka Maksimovic, i cili mori pak më shumë se 9% të votave. Maksimovic hyri në garë për shaka, duke u tallur me klasën politike serbe.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.