Zgjedhjet presidenciale në tregun valuator. Mundësitë e fitores së Biden sjellin rënien e dollarit, rritet juani kinez
Dollari amerikan u dobësua në sesionin e fundit tregtar dhe tregoi javën e dytë radhazi të humbjeve, ndërkohë që investitorët ngritën bastet për fitoren e Joe Biden. Shumë banka në Wall Street projektojnë një paketë të stimujve pavarësisht kandidatit që do fitojë, por me Biden president dhe me demokratët në kontroll të Senatit, paketa do të jetë më e madhe. Manaxhuesi i aktiveve UBS, ka caktuar një shans prej 75% të fitores së Biden.
Sondazhi i Reuters këtë javë e vuri Biden pak përpara Donald Trump në 5 shtete, Wisconsin, Pennsylvaina, Michigan, Florida dhe Arizona. Rritja e pritshmërive të fitores së Biden ka pasur efekt qetësues tek luhatja e tregjeve dhe ka rritur tërheqjen e valutave të goditura nga lufta tregtare mes Washingtonit dhe Pekinit. Indeksi i dollarit, që mat performancën kudnër shportës kryesore të valutave, u tërhoq në 93.47 pikë dhe ndodhet në rënie me 0.4% për këtë Javë.
Javën e kaluar, indeksi humbi 0.8%, ndërkohë që në Shtator preku nivelin më të lartë në 2 muaj prej 94.75. Valuta kineze duket se është përfituesja më e madhe nëse fiton Biden. Juani ka treguar rritjen më të madhe ditore në mbi 4 vite. Rritja më e madhe se ç’pritej e fashës tregtuese të juanit sinjalizoi gjithashtu se politikëbërësit kinez nuk e kanë problem fuqizimin e valutës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.