113 milionë euro për turizmin në katër qarqe të Shqipërisë – Fondet shkojnë për bizneset, kulturën dhe infrastrukturën
Shqipëria do të investojë 113.3 milionë euro në një projekt që synon të zhvillojë edhe turizmin që nuk lidhet me bregdetin. Nga ky program pritet të përfitojnë në infrastrukturë të lidhur me turizmin qarqet e përcaktuara të Beratit, Korçës, Fierit dhe Shkodrës; ndërsa investimet në fushën e transportit do të bëhen në të gjithë vendin.
Për financimin, do të përdoret një grant prej 40 milionë eurosh nga Bashkimi Eruopian, ndërsa BERZH njofton se po shqyrton një kredi prej 60 milionë eurosh, e ndarë në dy lote.
Synimi i programit është të rrisë konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit në vend, duke u fuqizuar në zhvillimin e infrastrukturës, të pikave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe përmes mbështetjes së bizneseve të vogla dhe të mesme (SME).
SME-të dhe mikrobizneset aktive në zinxhirin e turizmit do të mund të përfitojnë edhe nga financime nga bankat e nivelit të dytë në vend.
Nënprojektet e programit do të përfshijnë kryesisht rehabilitime të rrugëve, menaxhimim të mbetjeve të ngurta, ndriçim, rehabilitimin e sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve, si dhe rehabilitimin e pikave të trashëgimisë kulturore e natyrore.
Përmes investimeve në turizëm, qeveria ka llogaritur se ky sektor do të zërë një peshë edhe më të rëndësishme në ekonomi, duke arritur në 10 vjet të kontribuoi me 10.8% të PBB dhe 120 mijë të punësuar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.