3 arsye pse njerëzit me humor janë punonjës të shkëlqyer

Rekrutimi i anëtarëve të ekipit është një nga punët më të vështira për të gjithë sipërmarrësit, manaxherët dhe drejtuesit e çdo lloji. Kjo më së shumti sepse kandidatët për punë prezantojnë anët më të mira të vetes, përfshirë edhe karakterin, por fasada profesionale shpesh fsheh natyrën e vërtetë të individit.
Të kuptosh nivelin e aftësive apo inteligjencës së një personi nuk është aq e vështirë, por të kuptosh nëse ai është i mirë për t’u përshtatur me pjesën tjetër të stafit, apo me vetë punën është gjëja më e rëndësishme.
Një cilësi e mirë, që tregon nëse personi është i përshtatshëm ose jo për pozicionin e punës është sensi i humorit. Humori mund të duket si gjëja e fundit për t’u kërkuar kur punëson dikë, por ai është një matës shumë i mirë i inteligjencës së kandidatit, vetëbesimit dhe sjelljes në tërësi.
Një sens humori nënkupton se kandidati është i vetëdijshëm
Një kombinim ideal mes inteligjencës dhe vetëdijes është tipari parësor që shihet kur punëson dikë. Njerëzit që mund të reagojnë mirë në një situatë dhe njëkohësisht të reflektojnë mbi idetë dhe veprimet e tyre, janë një aset i çmuar brenda një kompanie.
Humori, sidomos ai vetëkritik, është një shenjë se personi i zotëron cilësitë e mësipërme.
Njerëzit me humor janë empatikë
Nëse dikush, gjatë intervistës, duket si një person me humor pa bërë ndonjë përpjekje të madhe si dhe i kuptueshëm, është sepse ai po shfaq një formë të empatisë.
Megjithatë duhet bërë një dallim thelbësor këtu. Nëse një kandidat vjen dhe bën një shaka i përgatitur pasi ka parë profilin tuaj në Facebook ose LinkedIn, duhet shmangur.
Ju duhet të kërkoni për dikë që di të lexojë mirë dhomën dhe të krijojë lidhje me ju në nivel personal. Aftësia për t’u lidhur shpejt me të tjerët dhe për të ofruar siguri tek ata, është jetësore kur ke të bësh me klientë.
Humori e shpërndan lehtë stresin
Pavarësisht profesionit, secili ka streset e tij, të cilat theksohen herë pas here. Si një lider, ju duhet të gjeni persona që mund të qëndrojnë në perspektivën e gjëtave dhe të mos shtypen nga presioni.
Anëtarët më të mirë të ekipit janë ata që mund të pranojnë një situatë dhe të përgjigjen me njëfarë humori të lehtë që e përmirëson menjëherë situatën.
Benjamin Franklin, pasi firmosi Deklaratën e Pavarësisë dhe u bë menjëherë tradhtar në sytë e shtetit më të fuqishëm të asaj kohe bëri këtë batutë me bashkëfirmëtarët e tjerë: “Duhet të varemi tek njëri-tjetri, ndryshe me siguri do të jemi të varur secili më vete”.
Ndonëse ky koment mund të mos ketë qetësuar frikërat e të pranishmëve, me shumë siguri ka zbutur situatën dhe ka ofruar frymëmarrje.
Prandaj liderët duhet t’i njohin këta lloj personash me humor dhe të vlerësojnë cilësitë e tyre pozitive, për të formuar një ekip të përgatitur për çdo situatë.
Kandidati që do t’ju bëjë të qeshni, do të jetë me shumë gjasa ai i duhuri për t’u marrë në punë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.