3000 vende pune në panair – 60 kompani, pjesë e “Work & Study”, këshillim edhe për studimet
Panairi organizohet nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ndërkohë që kreu i Dhomës Nikolin Jaka ftoi të gjithë të interesuarit të vizitojnë stendat e të konsultojnë ofertat.
“Nga informacionet paraprake rezulton se janë rreth 3 mijë vende pune që ofrohen sot në këtë panair që është edhe edicioni i 10-të. Kështu që unë ju bëj një ftesë të hapur të gjithë punëkërkuesve studentëve të rinjve të cilët kanë një kërkesë për punë por që janë të aftë të japin kontributin e tyre në ekonominë e vendit tonë të vizitojnë panairin dhe jam i bindur se do të gjejnë veten në stendat dhe intervistat që do të bëjnë” – tha kryetari i dhomës së tregtisë dhe industrisë, Nikolin Jaka.
Ndërkaq, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, bëri me dije se përveç vendeve të punës, institucioni që ai përfaqëson ofron dhe praktikë pune me pagesë.
“Kemi disa oferta shumë të mira për praktikë. Bashkia e Tiranës ka në vetvete 90 pozicione pune, përfshirë bashkinë përfshirë disa drejtori dhe agjenci apo kompani bashkiake siç mund të jenë parkingje ujësjellësit për ato që janë inxhinierë hidro. Ndërkohë për herë të parë kemi futur konceptin e praktikave me pagesë” – u shpreh kryetari bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.