5 burgjet më të famshme për t’u vizituar – Një ndalesë ‘e detyrueshme’ në hartën e çdo udhëtari kurioz
Nga Shën Petersburgu në Shën Francisko, ka disa burgje që shënuan histori dhe se sot janë një ndalesë ‘e detyrueshme’ në hartën e çdo udhëtari kurioz. Më poshtë gjeni një listë me pesë burgjet më interesante për t’u vizituar, ndërsa evidentohen edhe të burgosurit e famshën që vuajtën dënimin në qelitë e tyre.
‘Alcatraz’ – San Francisco, Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ata që vizitojnë qytetin e San Franciskos mund të marrin një traget të vizitojnë Ishullin Alcatraz. Burgu është një nga atraksionet kryesore turistike në rajon dhe një nga burgjet më të njohura. Ishulli Alcatraz ka një sipërfaqe prej më shumë se 4800 metra katror në qendër të gjirit të San Franciskos. Çdo vit, ai tërheq më shumë se 1.4 milion vizitorë kuriozë për të vizituar qelitë e tmerrshme të burgut më të famshëm në botë.
Ai u përdor vetëm për 29 vjet, por në historinë e tij të shkurtër, Alcatraz priti disa nga mafiozët më të famshëm në Shtetet e Bashkuara, si Al Capone apo Machine Gun Kelly, kriminel i kërkuar në Kaliforni.
Megjithëse kishte shumë përpjekje për të shpëtuar nga ky burg, vetëm njëra prej tyre ishte e suksesshme. Bëhet fjalë për arratisjen e Frank Morris, John Anglin dhe Clarence Anglin, një ngjarje që më vonë u kthye në film.
‘Château d’If’ – Marsejë, Francë
Château d’If është pa dyshim një nga burgjet më të jashtëzakonshme në botë, duke mirëpritur 100 000 vizitorë në vit. Dhe e veçanta është se pamja e tij nuk ngjan me atë të një burgu tipik, pasi është një godinë e zakonshme që u kthye në një institucion të vuajtjes së dënimit.
Ajo u ndërtua midis viteve 1527-1529, duke u bërë kalaja e parë mbretërore e Marsejës. Ndërmjet viteve 1580 dhe 1871, ata që kundërshtonin regjimin u burgosën në këtë ishull të Marsejës. Asnjë arratisje nuk ishte e mundur për shkak të mureve të larta me platformat e artilerisë që kapërcenin shkëmbinjtë.
Ndër të burgosurit kryesorë ishin protestantët dhe republikanët. I burgosuri më i famshëm ishte José Custodio Faria, i njohur si Abba Faria, i cili do të portretizohej dhe do të përjetësohej më pas në faqet e Aleksandër Duma, Konti i Monte Cristo-s.
‘Kresty’ – Shën Petersburg, Rusi
“Kresty”, burgu legjendar rus në qytetin e Shën Petersburg u themelua në 1892. Burgu u ndërtua fillimisht për 1 150 njerëz dhe kishte 960 qeli. Është një kompleks i disa ndërtesave drejtkëndëshe që formojnë dy kryqe të mëdha. Forma “kryq” e ndërtesave simbolizon pendimin e të burgosurve.
Burgu është më i madhi jo vetëm në Rusi, por edhe në Evropë dhe Amerikë dhe është një burg i famshëm historik dhe pikë referimi. Kompleksi në shkallë të gjerë i tullave të kuqe qëndron në sfondin e ndërtesave të afërta moderne në Shën Petersburg. Shumë njerëz me famë botërore u burgosën në këtë burg.
Burgu ‘Pentridge’ – Victoria, Australi
Në Australi, vizitorët mund të gjejnë një nga burgjet me numrin më të madh të tregimeve prapa mureve të mëdha, qelive të ndryshkura dhe korridoreve të pafund. Pas 146 vjetësh, burgu u mbyll zyrtarisht në vitin 1997. Sot, është pjesë e turneve më të njohura të horrorit dhe konsiderohet një tërheqje unike për turistët.
Chopper Read, një kriminel që më vonë u bë shkrimtar dhe mori pjesë në 19 vrasje dhe Peter Dupas, një nga vrasësit serial më të kërkuar të kohës, Julian Knight, autor i një prej masakrave më të famshme në historinë e botës dhe Ronald Ryan, i burgosuri i fundit që do të ekzekutohet ligjërisht në Australi ishin edhe disa ndër të burgosurit që vuajtën dënimin në këtë burg.
Burgu i Sigurisë 21 (S-21), Kamboxhia
I njohur si Muzeu i Genocidit ‘Tuoh Sleng’, ai u përdor si një kamp i marrjes në pyetje, torturës dhe asgjësimit. Edhe pse dikur ishte një shkollë e mesme, sot vendi funksionon si një muze i destinuar për të kujtuar historinë tragjike dhe të tmerrshme që vendi përjetoi gjatë regjimit të Khmer Rouge. Sot, historia e viktimave restaurohet përmes fotografive, si dhe pajisjeve të torturës të përdorura gjatë kësaj kohe.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.