Abuzime në Portin e Durrësit – Arrestohen 19 persona, vëmendja tek tenderat
Prokuroria për Krimet e Rënda ka urdhëruar arrestimin e shefit të stacionit policor dhe 9 punonjësve të Policisë në Portin e Durrësit, si edhe 8 doganierëve të Qafë-Thanës, Durrësit e Tiranës, të dyshuar se kanë siguruar kushtet për kalimin e dy ngarkesave të ndryshme, me peshë totale 10 ton kanabis sativa, nga Shqipëria në Itali.
Por ky nuk është rasti i parë i abuzimeve që ndodhin në Portin e Durrësit, pasi janë konstatuar shkelje të herëpashershme, që kanë sjellë edhe në shkarkimin e drejtuesve të këtij institucioni. Disa shkelje kanë qenë të lidhura edhe me tendera abuzivë, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme ekonomike. Por ndërkohë që ndodhin abuzime masive, duket se ky institucion e ka përqendruar vëmendjen në tendera të rinj.
Së fundmi Autoriteti Portual i Durrësit, ka hapur një tjetër tender, prej 35 milion lekësh, për “Përmirësimin e qendrës së të dhënave aktuale të Autoritetit Portual të Durrësit, blerje e licencave shtesë për zgjerimin e kapaciteteve të datacenter-it dhe të sistemit të komunikimit të brendshëm brenda hapësirës së portit, si dhe përmirësimin e sistemit të kondicionimit dhe mbrojtjes”.
Afati i lëvrimit të hardware, licensave, implementimit dhe kalimit në punë është 90 ditë nga nënshkrimi i kontratës, ndërsa data 8 Maj është afati i fundit për dorëzimin e ofertave nga operatorët e interesuar. Ajo që bie në sy është se me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme elektorale, institucionet po nxitojnë të hapin sa më shumë tendera, duke shfrytëzuar kështu maksimalisht buxhetin që kanë në dispozicion.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.