Akademia e Sigurisë do marrë statusin e IAL, shton studimet master – Propozim që të jetë e detyrueshme për institucionet e sigurisë publike

Zyrtarët e lartë të Ministrisë së Brendshme, të Arsimit dhe Drejtësisë, së bashku me deputetë, pedagogë e përfaqësues së Policisë së Shtetit, Prokurorisë e institucioneve të tjera, janë mbledhur në një tryezë të përbashkët për reformimin e Akademisë së Sigurisë.
Propozimi është që Akademia të marrë statusin e veçantë si Institucion të Arsimit të Lartë, duke shtuar edhe studimet master.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ndërkohë shtoi se për të pasur një akademi më cilësore dhe rrjedhimisht një polici më të mirë, duhet të investohet jo vetëm në infrastrukturë, por edhe në afrimin e pedagogëve më të mirë.
‘’Ne kemi nevojë që këtu të kemi më të mirët, më të zotët dhe më të ndershmit që kemi në këtë fushë, përfshi edhe ata që ju quani trajner të trajnerëve që dëshironi të merrni për të trajnuar në Policinë e Shtetit. Sepse ai është shembulli që ndjekin studentët, dhe kjo është thelbësore për ne”, u shpreh ministri Xhafaj.
Pjesëmarrëse në këtë tryezë, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, shpjegoi hapat që duhen ndjekur pas marrjes së statusit të veçantë.
“Në momentin që përcaktojmë statusin, ne bëjmë riorganizimin konform statusit dhe ligjit të ri të Arsimit të Lartë, përcaktojmë tipologjinë e programeve të formimit të studimit duke u përafruar me standardet më të mira, që do të thotë kurrikula dhe gjitha të tjerat. Ne ecim përpara me procesin e akreditimit’’, tha Nikolla.
Sakaq, drejtori i Akademisë së Sigurisë, Bilbil Memaj, duke paraqitur vizionin e tij për reformimin e këtij institucioni , shprehu kërkesën mbi institucionet që duhet t’i nënështrohen formimit.
“Ne si Akademi Sigurie mendojmë që të gjithë institucionet e sigurisë publike, për vitin që vjen, duhet t’i nënshtrohen kalimit në shkollë bazik, apo formim profesional të vazhdueshëm dhe nuk duhet të vijohet me këto praktika. Pra të gjithë institucionet e sigurisë publike duhet të vijnë në akademi, të testohen dhe të seleksionohen për të mbajtur në punë ata që plotësojnë kriteret’’, propozoi Memaj.
Ndër pikat kryesore të reformës përfshihet përafrimi i standardeve arsimore me ato europiane, ndërsa ministri Xhafaj shprehu nevojën që në kurrikul të ketë më shumë vlerësim për etikën profesionale dhe punën në ekip.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.