Aksioni i Policisë Rrugore në 48 orë – Pezullohen 64 leje drejtimi dhe arrestohen 8 drejtues mjetesh
Policia rrugore vijon aksionin në kuadër të rritjes së parametrave të sigurisë rrugore në fundjavë , por jo vetëm. Kështu, janë ushtruar kontrolle me Drager e Radar në qendrat e banuara si dhe në akset interurbane Tiranë- Durrës dhe anasjelltas.Si rezultat i këtyre kontrolleve janë pezulluar rreth 64 leje drejtimi dhe janë arrestuar 8 drejtues mjetesh.
Gjatë 48 orëve të fundit, në drejtim të shpejtësisë në akset interurbane dhe ato kryesore, Policia Rrugore ka ndëshkuar 27 drejtues mjetesh të cilët qarkullonin me shpejtësi mbi normat e lejuara.
Po ashtu, janë arrestuar në flagrancë 6 drejtues mjetesh që drejtonin automjetin në gjendje të dehur. Ndërkohë, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, janë pezulluar po ashtu edhe 19 leje drejtimi për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Po ashtu, Policia Rrugore ka pezulluar edhe 18 leje drejtimi për shkelje të tjera, si dhe ka arrestuar 2 drejtues mjetesh të cilët drejtonin automjetin pa leje drejtimi.
Ndërkohë, nga kontrollet e ushtruara për evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, gjatë këtyre 48 orëve janë vendosur:
81 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit
107 masa për parakalim të gabuar
115 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit
12 masa për mosrespektim të sinjalistikës së semaforit
45 masa për ata që qarkullojnë pa kaskë mbrojtëse si dhe pa kontroll teknik të mjetit
682 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.
Janë bllokuar dhe 15 mjete për mosshlyerje të masave administrative, nga 7 masa deri në 12 masa administrative.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.