Ambiente komode për nxënësit – Rikonstruktohet shkolla e mesme “Sinan Tafaj”

Shkolla e mesme “Sinan Tafaj”, në qendër të kryeqytetit, tashmë ofron kushte komode mësimi për 1100 nxënësit e saj.
Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar ambientet sportive, sistemin e ngrohjes dhe një sërë mjedisesh të tjera ndihmëse. Palestra e shkollës “Sinan Tafaj” është shtruar me parket druri, është vendosur ndriçim, dyer e dritare të reja.
Gjithashtu, është bërë rikonstruksioni i plotë i nyjeve sanitare, rrjetit elektrik dhe atij të furnizimit me uji, është vendosur sistem i ri i ngrohjes për shkollën, si dhe sistemi kundra zjarrit.
Kryebashkiaku Erion Veliaj inspektoi punimet e kryera dhe vlerësoi se shkolla “Sinan Tafaj” është një nga shkollat model në Tiranë, jo vetëm për stafin mësimdhënës, por edhe për ambientet mësimore dhe sportive që ofron.
Ai theksoi se investimet për ndërtimin e palestrave bëjnë të mundur që shkollat të shndërrohen edhe në qendra komunitare, duke i shërbyer jo vetëm nxënësve, por gjithë komunitetit në orët e pasdites.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje të gjithë të rinjve që t’i shfrytëzojnë këto ambiente maksimalisht, në mënyrë që të kenë një jetë më të shëndetshme.
Me projektin e 20 shkollave që Bashkia e Tiranës ka nisur të ndërtojë në kryeqytet, do t’i jepet zgjidhje edhe problemit të mbingarkesës dhe mësimit me dy turne kryesisht në shkollat e mesme të kryeqytetit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.