Ndërhyrjet e Zvicrës në valutë – Nën vëzhgim nga Thesari në SHBA, shqetëson sufiçiti tregtar

Zvicra është rikthyer nën shënjestrën e Thesarit të Shteteve të Bashkuara, për vlerën e valutës dhe eksporteve. Kjo i shton vështirësitë Bankës Kombëtare të Zvicrës, që ka përdorur ndërhyrjet në këmbimin valutor prej vitesh, për t’i bërë ballë mbivlerësimit të frangës.
Departamentit në SHBA i kërkohet me ligj që të raportojë në Kongres 2 herë në vit për partnerët kryesorë tregtarë, nëse po luajnë apo jo me valutat e tyre. Raporti i fundit u dërgua ditën e Premte.
Duke marrë parasysh sufiçitin tregtar dhe ndërhyrjet, Zvicra u shtua në listën e vëzhgimit dhe çdo vend që ndërmerr praktika të padrejta mund të penalizohet.
Banka Qendrore e Zvicrës, duke ndërhyrë në këmbimin valutor, ka çuar rezervat në valutë të huaj në rreth 696 miliardë dollarë. Vitin e kaluar, ka shpenzuar 67 miliardë franga, duke e lidhur ndërhyrjen me referendumin në Britani dhe ekzistojnë prova që institucioni ka qenë aktiv në tregje edhe këtë vit.
Sipas presidentit të Bankës Qendrore, Thomas Jordan, institucioni vetëm po limiton fuqizimin e valutës, duke mos e ulur atë në nivele artificialë.
Në raportin e vitit të kaluar, Thesari amerikan nënvizoi se Zvicra ka një treg të vogël të titujve sovranë të borxhit, gjë që limiton opsionet e politikave monetare. Franga është rritur me thuajse 50% kundër euros dhe 20% kundër dollarit që prej vitit 2008.
Kjo ka sjellë një sfidë për eksportuesi e vendit, që pjesën më të madhe të mallrave e çojnë në Eurozonë. Megjithatë, Zvicra kishte një sufiçit tregtar në mallra prej 17 miliardë frangash me SHBA.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.