Analizë/ A duhet të kemi frikë nga prania në rritje e së djathtës ekstreme në internet?
Aktiviteti i të djathtës ekstreme në internet kërcënon të krijojë dhunë në botën reale, Por a janë qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë duke bërë mjaftueshëm për të luftuar rrezikun?
Dy ditë përpara sulmit, australiani Brenton Tarrant postoi imazhe të armëve që do të përdorte në sulmin e tij të orientuar politikisht. Gjysmë ore përpara, ai përmendi çfarë do të bënte në një forum në internet. Pak minuta përpara, ai dërgoi një email me një “manifest” duke shpjeguar pse do ta kryente atë akt. Dhe kur ai filloi, hyri në një transmetim të drejtpërdrejtë në Facebook që njerëzit në mbarë botën ta shihnin live duke bërë aktin terrorist.
Sulmi mbi xhamitë në Christchurch, Zelandë e Re, në të cilin u vranë më shumë se 50 njerëz, ishte një akt dhune i paraqitur live në internet. Brenton Tarrant përfaqëson rastin tipik të pjesëve të errëta të internetit që shndërrohen në dhunë në realitet.
Frika është se shërbimet e sigurisë dhe kompanitë e teknologjisë kanë qenë të ngadalshëm për t’u marrë me këtë kërcënim të ri në rritje.
Përhapja e neonazizmit, si një rrymë e re e të djathtës ekstreme, mbështetet tek ndjenjat e urrejtjes dhe përçmimit. Nëpërmjet këtyre ndjenjave, shumë grupe neonaziste kanë arritur përhapje të gjerë në grupmoshat e reja, dhe bota online i favorizon shumë në këtë përhapje.
Rrjetet sociale mundësojnë përhapjen më të shpejtë të rrymave ideologjike. Ithtarët më të dedikuar ndaj rrymave si neonazizmi, kanë arritur të ristrukturojnë idetë e tyre, madje dhe të gjejnë fjalë të reja për të artikuluar kauza të vjetra. Fjala që bie ata nuk flasin për ‘zhvendosje masive të popullatës’, apo ‘gjenocid’, por për ‘ri-emigrim’. Madje ato kanë arritur të riemërtojnë dhe ideologjinë e tyre, duke hequr ‘nazizmin’ si term. Bëhet fjalë për identitetarizmin dhe për separatizmin, fjalë të bukura, në dukje madje edhe të drejta, por që përfaqësojnë kauza të vjetra prej të cilës Evropa dhe miliona qytetarë kanë vuajtur.
Krijimi i një gjuhe dhe leksiku të ri për të djathtën ekstreme e bën atë më lehtësisht të përhapshme nëpër rrjetet sociale, nga ku mund të rekrutojnë dhe baza të gjëra mbështetësish, ose më saktë, ekstremistësh.
Por problemi gjithsesi nuk është vetëm tek gjuha, por se gjuha krijon realitete, sidomos gjuha ekstreme. Gjuha e urrejtjes dhe diskursi politik që prodhon e djathta ekstreme i fton njerëzit të bëhen të dhunshëm. Kjo sepse vetëm nëpërmjet ushtrimit të dhunës mundet që në një botë globaliste, të triumfojë separatizmi apo identitetarizmi.
Grupet që përkrahin identitetarizmin janë shumë të lidhura në rrjet, duke qarkulluar ide, duke mësuar nga njëri-tjetri dhe duke i përshtatur ato ide në kontekstin e tyre kombëtar. YouTube dhe Instagram përdoren për të arritur një audiencë të madhe. Këto janë disa nga platformat ku dhe njerëzit e thjeshtë, ata kuriozët, mund të hasen me përmbajtje të ekstremit të djathtë. Këto janë gjithashtu platformat ku algoritmet luajnë një rol të rëndësishëm, sepse algoritmet e këtyre platformave i drejtojnë njerëzit në përmbajtje që janë gjykuar si të përshtatshme me sjelljet e individit. Disa nga ata që angazhohen me përmbajtje ekstremiste u ofrohet një link për t’i çuar ato në nivelin e ardhshëm, shpesh një aplikacion i koduar ku ftohen për t’u rekrutuar.
Grupet e tilla gjithashtu mund të gjejnë një strehë të sigurt në vendet libertariane, të tilla si çatet e mesazhit 4chan, 8chan dhe Gab. Faqet e lojërave kompjuterike po bëhen gjithnjë e më tërheqëse për grupet e ekstremit të djathtë gjithashtu. Ato nuk kanë fare kontroll mbi informacionin që shkëmbehet aty.
Që nga masakra e Christchurch, qeveritë dhe kompanitë e teknologjisë kanë këmbëngulur të merren me kërcënimin nga e djathta ekstreme. Në maj, kompanitë dhe qeveritë u takuan në Paris dhe projektuan një “Thirrje për Veprim”, që i detyroi ata të bënin më shumë për të frenuar përhapjen e terrorizmit dhe ekstremizmit në internet.
YouTube ka njoftuar masat e saj kundër grupeve dhe individëve të bardhë të supermacistëve dhe neonazistëve. Facebook gjithashtu ka ndaluar përgjithmonë disa individë dhe grupe, duke përfshirë Partinë Kombëtare Britanike në Britaninë e Madhe dhe ka ndërmarrë veprime kundër supermacizmit të bardhë dhe separatizmit.
Kompanitë e teknologjisë janë duke u përpjekur të përshtatin sistemet e ndërtuara për t’u marrë me përmbajtjen e xhihadise, për të kërkuar për përmbajtje të ekstremit të djathtë, por gjithmonë ka kufizime për automatizimin sepse sfidat dhe karakteristikat e të dyjave nuk janë gjithmonë të njëjta.
Kritikët vendosin në pikëpyetje nëse gjigantët e teknologjisë kanë ndonjë interes në trajtimin më të thellë të algoritmeve të dizajnuara për të maksimizuar kohën që njerëzit të qëndrojnë në faqet e tyre. Sipas YouTube, kompania nisi ndryshimet në sistemet e rekomandimeve të saj në janar 2019, të cilat kanë kufizuar përhapjen e keqinformimit të dëmshëm dhe atë që ajo e quan “përmbajtje ekstremiste” me 50%.
Megjithatë, veçse gjithë masave të marra, frika ndër shumë njerëz, komunitete dhe grupe, është se shkalla e plotë e kësaj sfide ende nuk është kuptuar, madje as thelbi i saj.
Burimi: BBC
DOSTI BANUSHI – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.