Analizë nga Forbes: A do të shuhet globalizmi pas kësaj pandemie?
Shumë drejtues, të cilët besuan se mjedisi i biznesit ishte i pjekur mjaftueshëm për mosndryshim, prisnin që një tërmet distopik të godiste dhe të ndryshonte ekonominë globale. Por ngjarje të tilla janë të vështira për tu parë përpara se ato të materializohen. Shumë pak nga këta udhëheqës parashikuan që tronditja do të merrte formën e një pandemie që do të detyronte botën të mbyllet – me përjashtim të Bill Gates.
Është veçanërisht e habitshme që kjo krizë shëndetësore ka sfiduar më tej katër parime themelore të globalizmit që komuniteti i biznesit dikur i konsideronte si të gdhendura në gur.
Së pari, garancia e lirisë së lëvizjes për mallrat dhe njerëzit. Rritja e ndjenjave populiste në të gjithë globin i ka dhënë një frenë tregtisë së lirë. Kjo pandemi është duke kufizuar më tej aftësinë tonë jo vetëm për të tregtuar dhe për të shkuar jashtë vendit, por edhe për të lëvizur në vendet tona.
Së dyti, ekzistonte nocioni që interneti ofron akses në të gjitha informacionet e sakta që na duhen për të marrë vendime të edukuara. Me kërpudhat e lajmeve të rreme të shkaktuara nga virusi, transparenca po merr një goditje të madhe. Kjo krizë shëndetësore sugjeron që nuk jemi askund afër transparencës së informacionit që kemi dëshiruar. Dhe kjo mund të ketë implikime të thella politike.
Së treti, ne besuam se autoritetet publike do të kishin gjithmonë legjitimitetin e nevojshëm për të vepruar. Por polarizimi politik në të gjithë globin e ka minuar atë legjitimitet në mënyrë të konsiderueshme ndër vite. Për Edelman Barometer, “asnjë prej katër institucioneve shoqërore – qeveria, biznesi, OJQ-të dhe media” nuk është i besuar “! Kjo krizë ka rritur mosbesimin edhe më tej, pasi një numër i madh qeverish duket se nuk janë në gjendje të menaxhojnë krizën në kohën e duhur dhe pa detyruar një mbyllje ekonomike.
Së fundmi, ne shpesh besonim (ose shpresonim) se ndryshimi historik është linear dhe i parashikueshëm, duke na lënë kohë për t’u përshtatur. Sidoqoftë, votat e vitit 2016 për Brexit dhe Donald Trump mund të shihen si pika kthese, ose të paktën, një sfidë e padiskutueshme për këtë nocion. Të dy janë ilustrime kryesore të ndryshimeve jolineare historike. Rënia e fundit e PBB-së dhe rritja e shifrave të papunësisë në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara, priren të sugjerojnë që ne po hyjmë në një paradigmë të re, ose, të paktën, një kohë në të cilën një krizë ka pasoja që janë më larg se në të kaluarën. Duke komentuar këtë krizë shëndetësore, Presidenti Francez Emmanuel Macron tashmë ka deklaruar se normaliteti nuk është një opsion kur të dalim nga kjo krizë.
Një përmbysje e secilit prej këtyre katër parimeve (liria e lëvizjes, transparenca, ligjshmëria dhe ndryshimi linear) do të ishte një ndërrues loje që do të sfidonte disa nga themelet e globalizmit siç e njohim ne sot.
Dosti Banushi – SCAN
Burimi: Forbes, shkrim nga Jeremy Ghez, profesor i Ekonomisë dhe Shkencave të Vendimeve në HEC Paris.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.