“Angry Birds” në bursë – Rovio planifikon ofertën publike fillestare, vlera mund të arrijë $2 mld
Prodhuesi i lojës për telefona “Angry Birds” po planifikon një ofertë publike fillestare, për të gjeneruar rreth 36 milionë dollarë. Kompania finlandeze, Rovio Entertainment, deklaroi se zotëruesit ekzistues do të shesin gjithashtu aksione.
Kompania nuk dha detaje mbi vlerën që do të arrijë, por disa tregtarë thonë se mund të prekë 2 miliardë dollarë. Rovio pati një rritje gjigante pas lançimit në vitin 2009 të lojës origjinale “Angry Bird”, pasi kompania përfitoi nga popullariteti duke licencuar markën, në përdorimet për lojëra dhe veshje.
Biznesi u ngadalësua në vitet e ardhshme prej sfidueseve të rinj, megjithatë, filmi i animuar i vitit 2016 me të njëjtin emër, i dha një nxitje tjetër shitjes së lojërave. Rovio raportoi muajin e kaluar një rritje të të ardhurave për tremujorin e dytë prej 93%, në 86.2 milionë euro, me biznesin e lojërave që pati një rritje të shitjeve prej 65%, në 61.2 milionë euro.
Në total, lojërat e kompanisë kanë patur mesatarisht 80 milionë përdorues aktiv në muaj gjatë tremujorit të dytë.
Rovio po planifikon filmin e dytë, që pritet të dalë në vitin 2019. Danske Bank, Carnegie dhe Deutsche Bank janë ndër institucionet që do të koordinojnë ofertën publike fillestare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.