Apel fermerëve për kontributet – Sadushi: Paguajnë më pak dhe përfitojnë pension urban

Instituti i Sigurimeve Shoqërore u bën apel fermerëve në të gjithë vendin që të sigurohen në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore si të vetëpunësuar në bujqësi, për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti, familjar si dhe përfitime të tjera shëndetësore. Në një intervistë për TV SCAN, specialist i kontributeve, Vullnet Sadushi, bën me dije se fermerët favorizohen në këtë rast, pasi paguajnë shumë më pak kontribute në raport me të vetëpunësuarit në zonat urbane, ndërsa përfitojnë pension të njëjtë me atë urban.
Aktualisht në skemën e kontributeve shoqërore janë të regjistruar 58 mijë fermerë, ndërsa është evidentuar se duhet të derdhin kontribute 117 mijë. Pjesë e kësaj skeme janë edhe fermerët e pajisur me nipt, që po ashtu, paguajnë njësoj si ata të vetëpunësuar.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka në terren 209 inspektorë, që mbulojnë të gjitha njësitë administrative në vend për të ndërgjegjësuar fermerët që duhet të paguajnë kontributet. Ndërkaq, vetë fermerët, në rastet kur duhet të paguajnë kontributet, nuk mund ta bëjnë këtë vetë, por duhet të kontaktojnë patjetër me inspektorin e zonës për të vazhduar procedurën.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.