Apple thyen projeksionet – Pritet të bëhet kompania e parë me vlerë tregu sipër $1 trilionë

Gjiganti i teknologjisë, Apple, raportoi rezultatin për tremujorin e tretë, me të ardhurat që u rritën sipër projeksioneve, gjë që uli shqetësimet e investitorëve mbi vonesat në prodhimin e iPhone-it të ri.
Raportimi erdhi në një kohë kur iPhone X doli në shitje në Azi, ku rreshtat e gjata nëpër dyqane bënë kontrast me pritjen e produktit paraardhës.
Në Australi, rreth 400 persona prisnin jashtë dyqanit kryesor të Apple në Sidnei, për të paguar 1,218 dollarë për modelin që përkon me 10-vjetorin e iPhone, të cilin kreu ekzekutiv Tim Cook e quajti “hapi më i madh përpara që prej iPhone-it origjinal”. Për krahasim, vetëm 30 persona u shfaqën fillimisht në të njëjtin dyqan gjatë Shtatorit, për iPhone 8.
Të ardhurat për tremujorin u rritën me 12% me bazë vjetore në 52.6 miliardë dollarë. Kompania u rrit me 4% në vlerë tregu dhe investitorët spekuluan se Apple do të kthehet në kompaninë e parë me një kapitalizim prej sipër 1 trilionë dollarëve.
Aktualisht, vlera totale në treg e Apple arrin në 868 miliardë dollarë, që është edhe kompania më me vlerë publike në të gjithë botën. Për tremujorin e fundit të këtij viti, Apple dha një projeksion për të ardhurat në 84-87 miliardë dollarë.
Duke përmbushur një nga objektivat e Tim Cook, kompania deklaroi se të ardhurat nga Kina u rritën me 22% në 9.8 miliardë dollarë. Cook tha vitin e kaluar se Kina do të jetë motori i rritjes në të ardhmen, duke rritur konkurrencën me markat lokale si Huawei, Vivo dhe Xiaomi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.