Avdullah Hoti premton rritje të buxhetit me 5 miliardë euro në katër vite
Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e Pejës ka thënë të dielën se gjatë katër viteve qeverisje, pas 11 qershorit, do ta bëjë buxhetin e Kosovës 5 miliardë euro dhe në këtë mënyrë do t’i financojë nevojat e qytetarëve për vende pune, arsim e shëndetësi më të mirë.
“ Kemi gjetur një buxhet 1.2 miliardë euro. Sot e kemi dy miliardë. Kur kam propozuar buxhetin dy miliardë euro për 2017, jam kritikuar shumë se nuk mund t’ia arrini. Sot atë buxhet e kemi realitet. Ne i kemi shtuar të ardhurat, jo nëpërmes gjobave, por nëpërmes bashkëpunimit me bizneset, të cilëve ua kemi ulur me 50 milionë euro taksat”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se për dy vite janë mbledhur 400 milionë euro më shumë taksa, sepse politikat e ndjekura kanë gjeneruar dy miliardë më shumë qarkullim tek bizneset dhe janë hapur së paku 40 mijë vende të reja pune.
“Tani po përgatitemi për një buxhet 3 miliardë euro dhe ju garantoj deri në fund të mandatit katërvjeçar, buxheti do të mbërrijë në 5 miliardë euro dhe në këtë mënyrë do të kemi mundësi të financojmë të gjitha projektet e mundshme për rininë, fushën e arsimit, shëndetësi dhe fushat e tjera”, ka thënë Hoti.
Ai i ka ftuar pejanët dhe gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë për koalicionin e zhvillimit dhe perspektivës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.