Banka e Francës rrit projeksionet – Pret që ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës të rritet me 1.7%
Guvernatori i Bankës së Francës, Francois Villeroy de Galhau, bëri të ditur ditën e Hënë se rritja ekonomike e vendit do të arrijë 1.7% në 2017-ën, duke rritur vlerësimet e mëparshme.
Ai theksoi reformat ekonomike të vendit, në rritjen e vlerësimit. Projeksioni për 1.7% vjen sipër vlerësimit prej 1.6% të dhënë në Korrik dhe 1.4% , në muajin Qershor.
“Rimëkëmbja ekonomike është e dukshme. Po ndodh në të gjithë Europën, përfshirë Francën. Megjithatë, në vendin tonë, rritja ekonomik nuk është ende e mjaftueshme”, tha Guvernatori.
Sipas tij, arritja e normës prej 1.7% do të ishte ende poshtë mesatares së Eurozonës, që qëndrojnë në rreth 2%.
Përditësimi i Bankës së Francës e sjell normën e rritjes ekonomike në linjë me vlerësimet e tjera të Qeverisë dhe Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, që rriti gjithashtu perspektivën në të njëjtën normë, nga 1.3% që vlerësonte më parë.
Javën e kaluar Fondi Monetar Ndërkombëtar, deklaroi se suksesi i Macron në ristrukturimin e ekonomisë do të varet nga aftësia e tij për të reduktuar shpenzimet qeveritare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.