Bankat e huaja në BE – BQE kërkon rregulla dhe kërkesa më të ashpra për kapitalin
Banka Qendrore Europiane ka propozuar që degët e mëdha të huadhënësve të huaj në Bashkimin Europian të jenë subjekt i rregulloreve dhe kërkesave më të ashpra për kapitalin. Kjo lëvizje do të rriste koston e bankave amerikane, aziatike si dhe huadhënësve britanikë pas Brexit.
Disa rregulla, që janë diskutuar nga Komisioni Europian në Nëntor, kërkojnë që huadhënësit e huaj me një prezencë të fortë në BE të kombinojnë bizneset e tyre, në një kompani tjetër aksionere brenda rajonit. Ky propozim synon të sigurojë që bankat e huaja të klasifikuara si huadhënës sistematik globalë apo bankat që kanë të paktën 30 miliardë euro aktive në BE, të jenë në gjendje që të përballojnë humbjet pa mbështetje nga vendi ku janë themeluar.
Tashmë Banka Qendrore Europiane kërkon që të gjithë degët e bankave të huaja të përfshihen në kompaninë aksionare brenda rajonit, një veprim që do të rriste kërkesat për kapital të huadhënësve.
Banka Qendrore Europiane bëri të ditur se kjo synon zhdukjen e një arbitrazhi rregullator, ku bankat reduktonin vlerën e aktiveve që janë subjekt i kërkesave të kapitalit. Aktualisht, banka të mëdha si Goldman Sachs, Morgan Chase, Bank of America dhe Banka Tregtare dhe Industriale e Kinës , ndërmarrin operacione të rëndësishme nëpërmjet degëve në BE.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.