Bankat sipas Moody`s – Marrin vlerësimin maksimal, mbi notën e qeverisë

Ndër katër shtyllat mbi të cilat krijohet edhe profili i kreditit të Shqipërisë, ajo që i referohet risqeve, pra kryesisht sektorit bankar, merr vlerësimin më të lartë mes të tjerave, vihet re në analizën vjetore të kreditit të Moody`s për vendin tonë.
Ky vlerësim fiksohet në të moderuar të qëndrueshme, ose në b2 në vlerësimin bazë të sektorit, që njihet ndryshe me termin BCA, që është një notë mbi vlerësimin e borxhit Sovran të vendit.
Moody`s e vlerëson kështu sektorin bankar në vendin tonë si mjaftueshëm të kapitalizuar në rast të ndonjë të papriture jo të këndshme në të ardhmen, si dhe me një normë fitimi të sistemit të moderuar.
Gjithsesi, gjigandi i vlerësimeve i mëshon edhe kritikave, pasi nënvizon nivelin ende të lartë të kredive jo-performuese, si dhe nivelin e lartë të euroizimit dhe dollarizimit të sektorit.
Në të dyja rastet, në raport vihet theksi te fakti se, pavarësisht problemit ende të pranishëm, për të dyja fenomenet vihet re një përmirësim i ndjeshëm.
Ndër të tjera, Moody`s flete dhe për rëndësinë jetike që ky sektor ka në ekonominë e vendit, si për peshën e aseteve, ashtu edhe për shkak të varësisë që ka qeveria ndaj sektorit bankar për të plotësuar nevojat për financim të borxhit të brendshëm.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.