“BB” publikon manualin – Shqipëria dështim, interneti s`është në shërbim të ekonomisë

Banka Botërore ka publikuar një raport që synon të nënvizojë impaktin e internetit dhe teknologjisë në përgjithësi, asaj digjitale, në vendet e Europës dhe Azisë Qendrore.
Institucioni, nëpërmjet këtij raporti ka për synim të tregojë që përfitimet nga teknologjia e informacionit nuk janë tërësisht të prekshme pa politikat qeverisëse që përmirësojnë klimën e biznesit, investojnë në kapitalin njerëzor, si dhe zhvillojnë institucionet.
Ky raport, thekson Banka Botërore, duhet të shërbejë si një kornizë, ose manual për qeveritë e rajonit në mënyrë që këto të fundit të maksimizojnë impaktin e internetit në ekonomi, kryesisht në drejtim të uljes së varfërisë dhe mirëqenies.
Ky grafik tregon lidhjen e drejtpërdrejtë që ka niveli të ardhurave për frymë me nivelin e penetrimit të internetit me bazë të gjerë në popullsi. Shqipëria është një ndër shembujt që e vërteton këtë, ndërkohë që vende si Serbia apo Mali i Zi, pavarësisht se klasifikohen në të njëjtat nivele me ne sa i përket të ardhurave për frymë, kanë një shpërndarje më të gjerë të internetit nëpër familje.
Në Shqipëri kjo normë fiksohet në rreth 37-38%, ndërkohë që në Serbi dhe Mal të Zi ngjitet në 50%. Banka Botërore nënvizon se Shqipëria është një ndër katër vendet me normën më të ulët të penetrimit të internetit me bazë të gjerë në popullsi, ndër vendet e Europës dhe Azisë qendrore.
Vendet e rajonit ndahen në dy grupe, thotë Banka Botërore. Nga njëra anë janë ato vende me çmime të ulëta dhe normë të lartë të penetrimit të internetit në popullsi, dhe nga ana tjetër janë ato vende me çmime të larta dhe normë të ulët të penetrimit të internetit. Shqipëria së bashku me Turkmenistanin hyjnë te grupi i dytë.
Shqipëria është e fundit në rajon edhe sa i përket shfrytëzimit të teknologjisë së informacionit nga sipërmarrja. Vetëm 51% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin postën elektronike, siç tregon edhe kjo tabelë, duke e vendosur të fundit në Ballkan.
Ndërkohë që në thuajse të gjithë raportin Shqipëria merret si shembulli i keq për t’u ndjekur, ka edhe një aspekt ku vendi ynë evidentohet si modeli i suksesit. Kjo i referohet sistemit të automatizuar të implementuar në dogana në vitin 2007 deri në 2012. Kjo gjë, sipas Bankës Botërore, uli ndjeshëm kohën e transportit të mallrave duke lehtësuar bindshëm tregtinë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.