BB “rrëzon” qeverinë: Nuk ka rritje ekonomike në 4 % deri në 2019

Banka Botërore ka publikuar projeksionet e fundit për ekonomitë e globit gjatë këtij viti dhe dy viteve të ardhshme. Institucioni publikon një raport gjithëpërfshirës çdo fillimvit.
Sa i përket Shqipërisë, Banka Botërore projekton një rritje ekonomike gjatë vitit aktual në 3.5%, ndjeshëm nën projeksionet e qeverisë shqiptare. Ministria e Financave projekton një rritje ekonomike në 3.8% përgjatë këtij viti, ndërkohë që premtimet e qeverisë flasin madje për një rritje mbi 4%.
Kryeministri Rama, pak kohë më parë foli për një rritje ekonomike që mund të shkojë deri në 4% në vitin 2017. Projeksionet e Bankës Botërore janë edhe më pesimiste se ato të Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Banka Botërore konfirmon kështu projeksionet e muajit Qershor për ekonominë e vendit gjatë vitit aktual, ndërkohë që shkurton projeksionet e vitit të ardhshëm, me 0.3 pikë përqindje.
Edhe vitin e ardhshëm, Banka Botërore projekton një rritje ekonomike pranë 3.5%, për të kulmuar në 3.7% vetëm në vitin 2019.
Kosova, Mali i Zi, dhe Rumania projektohet të kenë një rritje më të madhe ekonomia se vendi ynë gjatë këtij viti në 3.9, 3.6 dhe 3.7% respektivisht. Për Maqedoninë, Banka Botërore ka shkurtuar projeksionet me 0.7% në krahasim me muajin Qershor, rrjedhojë e krizës politike që ka bllokuar vendin, ndërkohë që për Malin e Zi projeksionet janë rishikuar në territor pozitiv, me 0.5%.
E njëjta gjë vlen edhe për Serbinë. Rajoni i Europës dhe Azisë Qendrore projektohet të ketë një rritje mesatare në 2.7% gjatë vitit aktual.
Banka Botërore në raport nënvizon faktin se rritja është përshpejtuar ndjeshëm gjatë 2016-ës, në Shqipëri, Serbi, Rumani dhe Kroaci, falë kërkesës së fortë të punës, rritjes së investimeve si pasojë e përthithjes më të mirë të fondeve evropiane, dhe si pasojë e përmirësimeve në tregun e punës, veçanërisht në Shqipëri.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.