Bien flukset e investimeve botërore – OKB: Ndikojnë politikat e Trump dhe pasiguria e Brexit
Flukset e investimeve të huaja direkte (IHD) në të gjithë botën ranë me 13% në vitin 2018, në 1.3 trilionë dollarë, duke treguar rënien e tretë radhazi vjetore, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. IHD përbën një tregues të rëndësishëm mbi ekonominë botërore, pasi reflekton në mënyrë direkte zgjerimin e zinxhirit industrial botëror të kompanive ndërkombëtare.
Sipas raportit të “Investimeve Botërore 2019”, tkurrja ka ardhur kryesisht prej kompanive amerikane, që kanë kthyer të ardhurat në vendin e origjinës. Ndër faktorët që kanë ndikuar kanë qenë politikat tregtare dhe tatimore të Donald Trump, ndërkohë që edhe ndërhyrjet shtetërore dhe pasiguria mbi Brexit, kanë zbehur perspektivën. Vendet që janë ndikuar më shumë nga kthimi i të ardhurave në origjinë, kanë qenë ekonomitë e zhvilluara, ku flukset ranë me 25% në 557 miliardë dollarë, niveli më i ulët që prej 2004-ës.
Sipas raportit, ky tregues pritet të rimëkëmbet në vitin 2019, pasi efekti i reformës tatimore në SHBA pritet të zbehet. Nga ana tjetër, investimet në vendet në zhvillim kanë rezultuar të qëndrueshme, në rritje me 2%. Hyrjet e investimeve në Kinë, janë rritur me 4% në vitin 2018, në një nivel rekord prej 139 miliardë dollarë, apo sa 10% e totalit botëror.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.