Bilanci i stuhisë në SHBA – Dëme të mëdha ekonomike, turizmi dhe transporti në ngërç
Stuhia e fuqishme që goditi brigjet lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kësaj jave ka shkaktuar edhe vështirësi të mëdha ekonomike në vend. Deri më tani vlerësohet se, 80 mijë biznese dhe shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që rreth 5000 fluturime janë anuluar. Vonesa dhe pezullime të shumta ka pasur edhe në rrjetin hekurudhor të vendit ndërkohë që pjesës dërrmuese të punonjësve i`u është thënë të mos shkojnë në punë. Stuhi të tilla gjithmonë prodhojnë humbës por edhe fitues për ekonominë.
“Ata që merren me prodhimin e dorezave apo rrobave të ngrohta për të kaluar dimrin janë fituesit e mëdhenj përgjatë këtyre dy javëve”– shprehet një ekonomist.
Operatorët e shpërndarjes, si ujit, gazit apo energjisë janë fituesit e tjerë. Me një mot të tillë, kërkesa për ngrohje ka prekur nivelin maksimal. Nga ana e humbësve radhiten industritë e transportit dhe turizmit në radhë të parë. Disneyworld, Seaworld dhe Universal Studios për momentin kanë pezulluar aktivitetin. Edhe restorantet janë goditur nga stuhia. Fluksi nëpër restorante projektohet të ketë rënë me 10% në javën e parë të Janarit. E njëjta gjë vlen edhe për shitjet me pakicë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.