Bisedimet diplomatike me Greqinë, raund i dytë në Shqipëri për të vendosur për hapat e mëtejshme

Në fund të bisedimeve treditore të zhvilluara në Kretë, mes Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe Greqisë, Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias, dy ministritë kanë dalë në një komunikatë të përbashkët.
Palët vlerësojnë se bisedimet janë zhvilluar në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, duke arritur punë të konsiderueshme. Sipas njoftimit për shtyp, është pranuar nga të dyja anët rëndësia e dialogut në zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura, ndërsa ministrat ranë dakord për hapat e mëtejshëm që duhen ndërmarrë për të arritur rezultate pozitive duke u mbështetur në vlerat dhe normat evropiane, në të mirë të dy vendeve.
“Bisedimet përbënë një hap të rëndësishëm përpara dhe përpjekjet për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet ekzistuese prej një kohe të gjatë do të vijojnë. Në dritën e këtyre zhvillimeve, u ra dakord që ministrat të takohen sërish në Shqipëri në vijim, në mënyrë që të vlerësojnë progresin e arritur dhe të vendosin për hapat e mëtejshëm konkret përpara”, shkruhet në njoftim.
Pavarërisht ecurisë pozitive të bisedimeve, duket se ky raund i parë nuk ka prodhuar asnjë marrëveshje konkrete, ndërsa në Tiranë me shumë gjasa nuk do të firmosen marrëveshje madhore
Sipas deklaratave të mëparshme të ministrave dhe asaj çka është pasqyruar nga mediat, Kotzias dhe Bushati kanë diskutuar për çështje që variojnë nga integrimi i Shqipërisë në BE, tek çështje më komplekse e delikate si Ligji i Luftës dhe marrëveshja e detit, ku për të fundit raportohet se është arritur tashmë në dakordësi.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.