Blerja 14.5 miliardë dollarëshe e Louis Vuitton/ ”I hedh grepat” kompanisë 182 vjeçare, Tiffany
Gjigandi i mallrave luksoz, LVMH, ose siç njihet gjerësisht, Louis Vuitton, ka deklaruar se i ka bërë një ofertë marramendëse prej 14.5 miliardë dollarë, kompanisë 182 vjeçare, Tiffany, me qendër në SHBA, e cila njihet gjithashtu si një markë luksoze për prodhimin e bizhuterive dhe gurëve të çmuar.
LVMH, në pronësi të njeriut më të pasur të Francës, Bernard Arnault, zotëron dhe marka të tjera, duke përfshirë Christian Dior, Givenchy dhe Bulgari. Xhevahiret dhe gurët e çmuar, kanë qenë një nga pikat e rritjes, më të shpejtë në sektorin e luksit.
Në një deklaratë, kreu i LVMH është shprehur se ”konfirmon se ka zhvilluar diskutime paraprake në lidhje me një transaksion të mundshëm me Tiffany”, duke shtuar se nuk ka ende asgjë konkrete për një marrëveshje të mundshme’’.
Raportet në fundjavë thanë se LVMH, i cili zotëron gjithashtu Kenzo, Tag Heuer, Dom Pérignon, Moet & Chandon, si dhe çanta çanta Louis Vuitton, bëri një ofertë paraprake për Tiffany në fillim të këtij muaji. Nëse kjo marrëveshje do të konkretizohet, atëherë do të jetë blerja më e madhe e LVMH, pas blerjes së markës Bulgari në vitin 2011 për 5.2 miliardë dollarë.
LVMH ka hapur një fabrikë në Texas të Jugut, e cila u inagurua zyrtarisht këtë muaj në ceremoni ku morën pjesë Z. Arnault dhe Presidenti i SHBA Donald Trump dhe vajza e tij Ivanka.
Kërkesa globale për produktet e LVMH është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Tiffany, e cila ka parë që shitjet në të gjithë botën të bien. Ashtu si disa firma luksoze, analistët thonë se Tiffany mund të jetë prekur nga mosmarrëveshja tregtare mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, por gjithashtu dhe prej rritjes së ndjeshme të tarifave.
LVMH ka 75 marka, 156,000 punonjës dhe një rrjet prej më shumë se 4590 dyqane. Tiffany punëson më shumë se 14,000 njerëz dhe operon në rreth 300 dyqane.
Elefteria Zguri/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.