Bloomberg ndërron mendje – 100 milion dollarë për fushatën zgjedhore. Kthese e fortë në garën presidenciale amerikane

Ndryshe nga sa flitej deri më sot, fronti centrist i demokratëve ka mundësinë të gjejë një kandidat më shumë se të përshtatshëm për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në sfidën për pushtimin e Shtëpisë së Bardhë kundër Donald Trump: Michael Bloomberg.
Mbreti i mediave, sipërmarrësi i miliarderëve, filantropi, ish-kryetari i bashkisë së New York-ut, i simpatizuar nga shumica, ish-republikan, ish-burrë i pavarur, i respektuar dhe akoma i dashur nga shumë republikanë, thuhet se mund të ndërroj mendje dhe të vendosë të kandidojë për primarët demokratë në një përpjekje për të fituar kështu nominimin për zgjedhjet presidenciale në 3 nëntor 2020 kundër Donald Trump. Ai do t’ua besonte atë bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë gjatë javëve të fundit. Sipas burimeve të ndryshme ende të pakonfirmuara “nëse Biden del jashtë ‘loje, atëherë Bloomberg do të kandidojë’”.
Për momentin, Biden nuk duket se ka ndonjë qëllim të ndërpresë fushatën e tij për emërimin, pavarësisht zbulimeve për djalin e tij Hunter dhe kontratat e tij të këshillimit ligjor, në Ukrainë dhe Kinë. Bloomberg, i cili kishte kohë që përflitej për një kandidaturë të mundshme u tërhoq pikërisht pas vendimit të Biden për të hyrë në garë.
Më 15 tetor do të zhvillohet debati i katërt televiziv midis 11 kandidatëve demokratë. Bloomberg, pra, do të hyjë në fushë vetëm nëse sondazhet mbi Biden thonë se ai nuk është më i preferuari për kandidaturën në primaret demokrate. Për momentin Biden është kokë më kokë me Warren, por disa anketime të fundit tregojnë tashmë tejkalimin e kësaj të fundit mbi ish nënkryetarin e Obamës.
Filantropi i njohur, 77 vjeçar, ka një pasuri të vlerësuar prej 51 miliardë dollarësh sipas Forbes. Nëse do të kandidonte, ai tashmë ka planifikuar të shpenzojë mbi 100 milion dollarë për fushatën zgjedhore. “Por asgjë nuk do të ndodhë, sipas një burimi pranë televizionit amerikan CNBC, derisa Biden të heq dorë zyrtarisht, dhe kjo nuk pritet të ndodh shumë shpejt”. (Ilsole24ore)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.