Borrell: Nuk ka marrëveshje të BE-së për embargon ruse të energjisë!
Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga vendet anëtare të Bashkimit Europian për një embargo të plotë ose tarifa ndëshkuese ndaj importeve të naftës dhe gazit rus, tha të hënën kryediplomati i BE-së Josep Borrell raportohet nga gazeta gjermane Die Welt. “Për momentin, ne në BE nuk kemi një qëndrim të unifikuar për këtë çështje”, tha Borrell për gazetën.
Eksportet e naftës janë burimi kryesor i valutës së huaj të Kremlin dhe shumë brenda BE-së kanë bërë thirrje për t’i dhënë fund pagesave të naftës, sepse ato financojnë në mënyrë efektive luftën në Ukrainë, të cilën Rusia e quan një “operacion ushtarak special”.
Disa vende të BE-së po bëjnë presion për një paketë të gjashtë sanksionesh ndaj Rusisë dhe Brukseli po përgatit një vlerësim të plotë të ndikimit të një ndalimi të naftës si pjesë e masave të mundshme të mëtejshme.
Rusia është furnizuesi më i madh i naftës në Europë, duke siguruar pak më shumë se një të katërtën e importeve të naftës në BE në vitin 2020, sipas të dhënave nga zyra e statistikave të bllokut Eurostat.
Borrell tha se tema do të diskutohet në samitin e ardhshëm të BE-së që do të mbahet në fund të muajit të ardhshëm dhe se ai nuk priste ndonjë vendim për këtë çështje para asaj kohe. “Një propozim përfundimtar për një embargo ndaj naftës dhe gazit nuk është ende në tryezë,” tha ai.
Komisioni i BE-së ndoshta do të bëjë propozime për një paketë të gjashtë sanksionesh për vendet anëtare këtë javë, tha Die Welt, pa cituar burime.
Të gjitha shtetet e BE-së po punojnë për të shkurtuar varësinë e tyre nga nafta dhe gazi rus, tha Borrell, duke shtuar se ai besonte se blloku do të jetë në gjendje të reduktojë varësinë e tij përfundimisht.
“Në një moment do të ndodhë dhe atëherë Rusia do të ndjejë dhimbje se të ardhurat nga biznesi i naftës dhe gazit po humbasin”, shtoi ai. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.