Brenti i Londrës, poshtë 61 dollarë – Ngadalësimi i ekonomisë, presion mbi çmimet e naftës
Nafta Brent e Londrës ka rënë sërish poshtë 61 dollarëve për fuçi në sesionin e sotëm, pasi shqetësimet për ngadalësimin e kërkesës kanë eklipsuar të dhënat në SHBA, që treguan një rënie surprizë të rezervave të naftës gjatë javës së kaluar. Gjithsesi, humbjet janë kufizuar nga pritshmëritë se OPEC dhe Rusia do të ulin më tej kuotat e prodhimit për të mbështetur çmimet.
Një shenjë tjetër e ngadalësimit të ekonomisë globale ishin të thënat e publikuara në Gjermani, që treguan një rënie të punësimit në sektorin privat në vend, gjatë tetorit, për herë të parë në gjashtë vitet e fundit. Nafta Brent e Londrës po tregtohet në rreth 60.7 dollarë për fuçi, pas rritjes me rreth 2.5% në sesionin e kaluar.
Nafta Bruto amerikane po tregtohet në rreth 55.5 dollarë për fuçi. Referuar të dhënave zyrtare në SHBA, nga Administrata për Informimin mbi Energjinë, rezervat e naftës ranë me 1.7 milionë fuçi, gjatë javës që u mbyll më 18 tetor, ndërsa analistët parashikonin një rritje me 2.2 milionë fuçi. Gjatë këtij viti, nafta Brent e Londrës është në rritje me 13%, e mbështetur kryesisht nga marrëveshja e OPEC dhe Rusisë për të ulur prodhimin. Që nga janari i këtij, aleatët kanë implementuar marrëveshjen për të ulur prodhimin me 1.2 milionë fuçi në ditë, deri në mars të vitit 2020.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.