Brexit, përtej datës 29 Mars – May: Pa një marrëveshje, shtyrja e afatit do jetë shumë e gjatë
Parlamenti Britanik pritet të votojë për shtyrjen e afatit të Brexit përtej datës 29 Mars dhe Kryeministrja Theresa May po përgatitet të sjellë përsëri marrëveshjen e saj të Brexit, që u refuzua dy herë. Britania mund të përballet me një vonesë të gjatë të Brexit nëse deputetët nuk bien dakord mbi një marrëveshje në ditët në vazhdim, sipas Theresa May.
“Nëse parlamenti gjen një mënyrë që të votojë marrëveshjen në ditët në vazhdim, kjo do t’i japë mundësinë Qeverisë që të arrijë një zgjatje të shkurtër dhe të limituar të Nenit 50, që të fitojë kohë për të kaluar legjislacionin e nevojshëm. Por, nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të ketë një shtyrje shumë më të gjatë të Brexit.”
Qeveria Britanike do të propozojë shtyrjen e afatit të Brexit deri më 30 Qershor, nëse deputetët pranojnë një marrëveshje për të dalë nga Bashkimi Europian, deri më 20 Mars, sipas kryetarit të parlamentit. Plani i May do të jetë bindja e mbështetësve të flaktë të Brexit, që të pranojnë marrëveshjen e saj, pasi zgjatja e afatit do të rezultonte në një marrëdhënie më të afërt me Bashkimin Europian.
Arlene Foster, liderja e partisë Unioniste Demokrate të Irlandës së Veriut, tha se po bashkëpunon me Qeverinë që të gjejë një zgjidhje për daljen me marrëveshje. Ditën e Mërkurë, Parlamenti refuzoi daljen nga Bashkimi Europian pa marrëveshje, duke krijuar mundësinë e një votimi tjetër që do të zgjasë Brexit deri në fund të Qershorit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.