Bulevardi i ri i Tiranës – Kojdheli: Potencial i madh ekonomik, biznesi po tregon interes
Përfundon faza e parë e projektit të bulevardit të ri të Tiranës me një shtrirje prej 400 metrash dhe parkingun nëntokësor, i cili ofron 321 vende.
Një ditë para inaugurimit të fazës së parë, Drejtori i Projekteve Strategjike pranë Bashkisë Tiranë u shpreh për SCAN se ky projekt pritet të këtë një impakt të madh në zhvillimin ekonomik të Kryeqytetit dhe se bizneset e huaja, ambasadat dhe banka kanë filluar të shfaqin interesin e tyre për këtë zonë të Tiranës.
“Potenciali ekonomik i këtij bulevardi është shumë i madh. Ka një interes shumë të madh nga zhvillues vendas e të huaj, kompani biznesi, banka, ambasada të huaja, të cilat do të duan të kenë rezidencën e tyre në atë që do të jetë arteria kryesore e zhvillimit të infrastrukturës në Tiranën e 100 viteve të ardhshme. është hera e parë që në Tiranë ndërtohet një infrastrukturë kaq e detajuar rrugore dhe shërbimesh: kanalizimi, fibra optike, etj.; dhe çdo lloj ndërtuesi, zhvilluesi do ta gjejë gati praktikisht terrenin për të ndërtuar qoftë në vijën e parë apo në vijën e dytë të këtij bulevardi. Studioja arkitekturore Grimashaw Architects, e cila ka bërë dizajnin e këtij bulevardi ndërkohë po punon edhe për masterplanin zhvillimor”.
Kojdheli, teksa e ka vlerësuar bulevardin e ri si një arterie kryesore të zhvillimit të infrastrukturës së qytetit, bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojnë shpronësimet nga rruga Siri Kodra deri tek Lumi i Tiranës.
“Ne jemi tanimë të shtrirë në progresim në 1300-ën e bulevardit dhe shumë shpejt, pra po vijon puna teksa flasim, edhe për shtrimin e pjesës tjetër në pikëtakimin mes bulevardit të ri dhe rrugës Siri Kodra. Aty mbaron kantieri jonë tanimë, por presim ndërhyrjen e qeverisë dhe shumë shpejt do të fillojnë shpronësimet në pjesën tek Siri Kodra deri tek pika e lidhjes së bulevardit me Lumin e Tiranës, ku ndërkohë po vijon një projekt tjetër: ai i rehabilitimit të të gjithë lumit të Tiranës dhe i të gjithë skarpatave të lumit për çështje sigurie”.
Projekti për bulevardin e ri të Tiranes është financuar nga Bashkia e Kryeqytetit përmes një kredie me fondin Abu Dabi prej 27 milionë eurosh në total dhe pritet të përfundojë në Shtator të vitit 2018.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.