Bursa e energjisë, ende në fazë tenderimi – Rihapet gara për krijimin e platformës elektronike, fondi limit 225 milion lekë
Pavarësisht se institucionet kanë deklaruar se bursa e energjisë do të ishte funksionale brenda 3-mujorit të parë të këtij viti, ajo është ende në fazë tenderimi, teksa proceduar e prokurimit publik, që u hap në muajin mars duket se nuk ka rezultuar e suksesshme. Kjo pasi, tenderi për ngritjen e Platformës Elektronike të Tregtimit për Tregun e Ditës në Avancë dhe atë Brenda Ditës, është rihapur në datën 21 qershor.
Fondi limit i vënë në dispozicion është 225 mln lekë, duke mos pësuar ndryshim me tenderin e mëparshëm, ndërkohë që kompanitë e interesuara do të kenë 1 muaj kohë për të dorëzuar ofertat e tyre. Referuar prokurimit të mëparshëm, dorëzimi i dokumenteve duhej të bëhej dero në datën 4 maj 2021, por me rihapjen e garës do të ketë sërish vonesa në ngritjen e bursës. Hapja e tenderit erdhi pas përzgjedhjes së aksionerëve të bursës, ku përfshihen operatorët e sistemit të transmetimit në Shqipëri dhe Kosovë, ndërkohë që sipas dokumenteve që shoqërojnë procedurëne prokurimit publik, theksohet se këto 2 vende bien dakort të themelojnë një treg të përbashkët të energjisë elektrike, bazuar në modelin operacional të një Burse të Energjisë Elektrike (PX) për të dyja zonat e kontrollit, duke përdorur një algoritëm të përcaktimit të ҫmimit, skedulimit dhe flukset, të realizuara njëherësh si një proces i integruar i kryer nga bursa (ALPEX).
Sipas dokumenteve të tenderit, volumet e transaksioneve në këtë bursë. janë vendimtare për funksionimin e tregjeve të ditës në avancë dhe Brenda ditës. Ndaj, si rrjedhojë,të 2 vendet janë zotuar të detyrojnë palët dominuese në tregjet e tyre të energjisë elektrike që të tregtojnë pjesë të energjisë së shitur ose të blerë, nëpërmjet bursës. Fillimisht tregu i ditës në avancë dhe Brenda ditës do të krijohet me minimalisht dy zona kontrolli, që janë Shqipëria dhe Kosova, duke zbatuar në të ardhmen projekte për bashkimin me tregje të tjera potenciale.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.