Bursat europiane zgjerojnë humbjet – Investitorët presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA

Bursat europiane janë hapur në rënie në sesionin e sotëm, duke zgjeruar humbjet e një dite më parë. Ndërkohë, që vendimet e Bankës Qendrore Europiane ishin të parashikuara dhe nuk pati surpriza, tashmë tregjet po presin të dhënat mbi inflacionin në SHBA, që publikohen më vonë gjatë ditës së sotme.
Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rënie me 0.3%. Të enjten, BQE konfirmoi qëllimin e saj për të rritur normën bazë të interesit me 25 pikë bazë në takimin e korrikut, që do të pasohet me një tjetër rritje në shtator. Gjithashtu, banka qëndrore rriti parashikimet për ecurinë e inflacionit në Eurozonë dhe uli parashikimin për rritjen ekonomike. Menjëherë pas njoftimit të këtyre vendimeve nga presidentja e BQE, Christine Lagarde, tregjet e aksioneve ranë ndjeshëm, një ditë më parë.
Ndërkohë, nëse raporti mbi inflacionin në SHBA do të jetë në linjë me parashikimet, kjo do të thotë se inflacioni ka arritur majën dhe me shumë mundësi Rezerva Federale mund të mos ketë nevojë të rrisë normat e interesit në takimin e javës së ardhshme. Gjithashtu, gjatë ditës së sotme do të zhvillojë takimin e radhës edhe Banka Qendrore e Rusisë, e cila do të vendosë mbi normat e interesit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.