Bursat injorojnë mposhtjen e Brexit – Investitorët presin shtyrjen e “divorcit”. Paralajmërohet për paundin
Tregjet botëror të kapitalit injoruan mposhtjen e paketës së Brexit në Parlament, ndërkohë që investitorët vlerësuan se ngërçi politik mund të detyrojë Londrën që të vonojë daljen nga Bashkimi Europian.
Theresa May përballet me një mocion të mosbesimit, pasi refuzimi i turpshëm i Brexit bëri që dalja e Britanisë nga Europa të jetë e pasigurt.
Investitorët presin që May t’i shpëtojë votimit, por nuk presin ndonjë zgjidhje për Brexit. Për rrjedhojë, ata kanë rritur bastet që Britania të detyrohet të shtyjë afatin e 29 Marsit.
Tregjet prisnin gjerësisht mposhtjen, ç’ka reflektoi edhe mosreagimin pas votimit në parlament. Bursat europiane ndoqën ato aziatike, që patën rritje prej spekulimeve se Rezerva Federale do të ndalojë ciklin tkurrës monetar.
Treguesi i Morgan Stanley që mat bursat botërore MSCI, mbeti i pandryshuar, ndërsa indeksi i bursave europiane shtoi 0.3%.
Indeksi i titujve të kapitalit në Britani FTSE 100, ra me 0.1%, rënie e papërfillshme. Bursat në Gjermani, Francë dhe Spanjë, patën gjithashtu rritje.
Paundi pësoi rritje pak kohë pas votimit dhe mbeti i pandryshuar kundër dollarit në sesionin e ditës së Mërkurë, në 1.2860.
Megjithatë, ekspertët paralajmëruan se valuta do të jetë nën presion në muajt e ardhshëm për shkak të pasigurisë mbi daljen nga Bashkimi Europian.
Manaxhuesit kryesorë të pasurisë këshilluan klientët që të mos vënë bast për paundin, duke marrë parasysh pasiguritë. UBS raportoi se ekspozimi në aktivet e denominuara në paund duhet të jenë në nivelet normalë, deri sa të ketë qartësi.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.