Bushati takim me ministrin e jashtëm gjerman – Maas: Aktorët politikë të mbështesin reformat për vitin 2019
Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Haiko Maas gjatë vizitës së tij në Gjermani. Marrëdhëniet midis dy vendeve kanë qenë edhe fokusi i takimit të tyre, ku palët ranë dakord që të vijojë axhenda me intensitet të plotë.
Duke falënderuar Gjermaninë për qëndrimin e qartë lidhur me vendimmarrjen e fundit të BE-së, Bushati tha se në 12 muajt e ardhshëm do të punohet shumë me KE-në për procesin “screening”.
“Rruga jonë është e qartë për sa i përket 2019-s dhe 12 muajt e ardhshëm do t’i shfrytëzojmë maksimalisht duke punuar ngushtësisht me Komisionin Evropian për procesin “screening”, u shpreh Bushati.
Ndërkohë, Maas nga ana tjetër duke vlerësuar reformat e ndërmarra nga Shqipëria, kryesisht për reformën në drejtësi, u bëri apel thirrje aktorëve politikë që të mbështesin këto reforma për vitin 2019.
Ndërkohë, shprehu bindjen se integrimi i Ballkanit Perëndimor është në interes të BE-së, pasi kjo do të shmangte shtrirjen e ndikimit të forcave të treta në rajon.
Gjatë takimit të tyre palët po ashtu zhvilluan diskutime edhe mbi bashkëpunimin në kuadër të OSBE-së, shkollën e magjistraturës si dhe klimën e sigurisë në rajon, ku për këtë të fundit Bushati shprehu bindjen se do të vijë duke u përmirësuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.