Buxhetet lokale – Ahmetaj: Ligji i ri, garanci për financat vendore

Zbatimi i reformës administrativo-territoriale ka bërë që shumë kompetenca t’i kalojnë pushtetit vendor, por edhe shërbime ndaj qytetarëve.
Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, duke vlerësuar këtë ligj, u shpreh se tashmë bashkitë kanë një garanci për grantin e pakushtëzuar nga ndarja e fondeve shtetërore sipas përqindjes së PBB, por do të kenë edhe rritje të të ardhurave me përqindje nga taksa të ndryshme si TAP apo renta minerale.
“Ky ligj është reflektim i drejtpërdrejtë i përgjegjshmërisë të një qeverie dhe i arsyetimit i reformës që ka një qeveri në favor të decentralizimit. Është një nga hapat më të rëndësishme në referencë të asaj reforme admnisistrative që ndërmorëm dy vite më parë. Sot, pushteti vendor me këtë ligj do të përfitojë 1% të PBB si minimum granti”, tha Ahmetaj.
Sipas Ministrit Ahmetaj, edhe pse jemi në një vit elektoral, kemi një konsolidim fiskal dhe një situatë buxhetore të kontrollueshme.
“Të kesh konsolidim fiskal, të ulësh borxhin pas 10 vitesh, të arrish të kesh një vlerësim pozitiv nga të gjitha agjencitë ndërkombëtare, e ndërkohë, të arrish për herë të parë pas 10 e kusur vitesh të kesh një balancë primare pozitive, për qytetarët për ta shpjeguar: qeveria nuk krijon me operacionet e veta korente, borxh të ri, por përkundrazi, paguan borxhin, kjo tregon përgjegjshmëri, të një mazhorance dhe të një qeverie”, u shpreh ministri.
Kreu i Financave Publike vlerësoi gjithashtu edhe dy ligjet e tjeta të diskutuara në seancën plenare, si ai i uljes së TVSH për turizmin, të cilin e cilësoi, jo si një masë fiskale në zbritje, por si një promovim për Shqipërinë.
Gjithashtu për ndryshimin e ligjit të sigurimeve shoqërore për minatorët, Ahmetaj tha se është vazhdim i paketës së solidaritetit, çka minatorëve iu kthen dinjitetin dhe garancinë për moshën e tretë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.