Investime në çdo lagje – Rikualifikohet blloku urban në njësinë nr.2

Bashkia e Tiranës ka nisur rikualifikimin urban të një tjetër blloku banimi në Njësinë Administrative Nr. 2, një nga 50 projektet që do të zbatohen këtë vit në Tiranë për shtimin e hapësirave çlodhëse në qytet.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i inspektoi fillimin e punimeve në bllokun pranë Ambasadës Amerikane dhe nënvizoi se përfitues do të jenë mbi 5 mijë banorë që jetojnë aty.
“Kjo zonë njihet si zona e Ambasadës Amerikane dhe në fakt, nga Amerika na ndan një mur. Në anën tjetër murit ka civilizim, gjelbërim, ndërsa në këtë anë baltovinë, sepse këtu s’kishte vënë dorë njeri prej 35 vitesh edhe pse jetojnë 5 mijë banorë, shumë afër qendrës së Tiranës. Deri më sot këtu kishte kanalizime të hapura dhe rrjete të ujësjellësit plasnin duke mbushur lagjen”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj tha se punimet për rehabilitimin e këtij blloku banimi do të përfundojnë brenda një kohe të shkurtër, ndërsa kërkoi mirëkuptimin e banorëve gjatë kësaj periudhe.
“Pas ndërhyrjeve të ndërmarrjeve të Bashkisë, do të ndërhyjë Ujësjellësi, për t’u siguruar që kur blloku të jetë kompletuar, të ketë përfunduar gjithçka dhe jo të bëjmë njëherë asfalt e pastaj ta hapim për punimet ujësjellësit. Me pak durim do të bëjmë kanalizimet, ujësjellësin, ndriçimin, këndin e lojërave, parkingjet, trotuaret, që në fund fare, të kemi një cilësi jetese më të mirë për qytetarët”, u shpreh Kryetari i Bashkisë.
Projekti për rehabilitimin e bllokut të banimit që kufizohet nga Rr. “Stavri Vinjau”, Rr. “Budi” dhe Rr. “Qamil Guranjaku”, është i ndarë në katër faza, të cilat parashikojnë rikonstruksionin e të gjitha rrugëve.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.