Cili është tërmeti më i thellë i regjistruar ndonjëherë nga njeriu?! – Më parë konsiderohej i pamundur
Një tërmet i dhunshëm që ndodhi në vitin 2015 në brigjet e Japonisë kishte hipoqendrën e tij në një thellësi – mbi 700 km – që më parë konsiderohej i pamundur.
Më 30 maj 2015, një tërmet i dhunshëm u nis nga thellësitë e Tokës, nën Ishujt Bonin, një arkipelag ishujsh të vegjël të largët të njohur gjithashtu si Ishujt Ogasaëara, në Oqeanin Paqësor Verior, në brigjet e Japonisë. Ishte Toka e Diellit që po lindte që ndjeu efektet e tërmetit, ndonëse jo veçanërisht serioze. Kishte vetëm disa ashensorë të bllokuar dhe disa alarme, por gjithçka u kthye shumë shpejt dhe kjo pavarësisht se magnituda e tërmetit kishte qenë më se e jashtëzakonshme, e barabartë me 7.9 ballë.
Shumë shpejt u kuptua se energjia që arriti në sipërfaqe ishte minimale, sepse tërmeti kishte ndodhur në një thellësi të vlerësuar prej më shumë se 650 kilometrash. Tani, pas vitesh kërkimesh, një studim është publikuar në Geophysical Research Letters i cili zbulon se si hipoqendra ishte madje 751 kilometra nga sipërfaqja e Tokës, duke rezultuar kështu në tërmetin më të thellë të regjistruar ndonjëherë: ne jemi praktikisht në mantelin e poshtëm të Tokës, një zonë ku disa gjeologë dhe sizmologë besonin se ishte e pamundur të shkaktonte një tërmet.
Për të kuptuar natyrën e jashtëzakonshme të ngjarjes, vlen të kujtojmë se shumica e tërmeteve ndodhin në një thellësi jo më shumë se 70-80 kilometra; vetëm 18 % tejkalojnë 70 km dhe vetëm 4 % ndodhin përtej 300 km.
Pse është kaq e rrallë që tërmetet të ndodhin në thellësi prej qindra kilometrash? Arsyeja është fare e thjeshtë. Ndërsa thellësia rritet, presionet dhe temperaturat i bëjnë gurët plastikë dhe viskozë. Është një gjendje që është e vështirë të imagjinohet, sepse në sipërfaqe nuk ka shembuj të tillë. Në këto kushte një trup mund vetëm të deformohet, ai nuk “thyhet”, pra siç është e nevojshme që të ndodhë një tërmet.
Megjithatë, duhet mbajtur mend se përbërja e brendshme e planetit nuk është homogjene, ajo paraqet variacione të shumta edhe për shkak të pllakave tokësore që kalojnë në subduksion (d.m.th. rrjedhin njëra nën tjetrën) ashtu siç ndodh në afërsi të Japonisë. Pra, nuk përjashtohet që në disa zona të thella të Tokës të ketë trupa “të ngurtë” brenda masave plastike, dhe që ato të mund të shpërbëhen dhe të shkaktojnë tërmete. Prandaj, studimi i këtij tërmeti dhe vlerësimi i thellësisë së tij duhet të konsiderohet si një hap i mëtejshëm për të marrë një njohuri më të saktë të asaj që po ndodh brenda planetit tonë. FOCUS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.