Coca Cola, “larg” platformave. Do ndalojë reklamimin në të gjithë mediat sociale për 30 ditë
Coca Cola deklaroi se do të ndalojë pagesën e reklamave tek të gjitha platformat e mediave sociale në të gjithë botën, të paktën për 30 ditë. Kompania qartësoi se nuk po i bashkohet bojkotit zyrtar, por thjesht po ndalon reklamimin. Gjatë një jave ku një grup i organizatave i kanë bërë thirrje reklamuesve në Facebook që të ndalojnë shpenzimet e reklamave për muajin Korrik, më shumë se 90 marka, përfshirë Verizon, Patagonia dhe North Face, kanë lajmëruar interes për t’u bashkuar.
“Nuk ka vend për racizëm në botë dhe nuk ka vend për racizëm në mediat sociale”, tha ekzekutivi i Coca Cola, James Quincey. Ai shtoi se kjo kohë prej 30 ditësh do të shërbejë për të rivlerësuar politikat e reklamimit dhe për të vendosur nëse duhen ndryshime. Gjiganti i pijeve ka postuar fjalime mbi diversitetin dhe përfundimin e racizmit sistemik në Twitter.
Lajmërimi i Coca Cola vjen pasi një gjigant tjetër, Unilever, që përfshin marka si Dove dhe Hellman, bëri të ditur se do të ndalojë reklamat gjithashtu në Facebook, Instagram dhe Twitter në SHBA, të paktën deri më 31 DHjetor. Pas lajmërimit të Coca Cola, Levi Straus bëri të ditur se do të ndalojë gjithashtu reklamat në Facebook he Instagram të paktën deri në Korrik.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.