Dalja pa marrëveshja nga BE – Weber: Katastrofike për Britaninë. Nuk ditën ta manaxhojnë referendumin
Politikani gjerman, Weber, tha se britania duhet të shmangë pasojat “katastrofike” të një Brexit pa marrëveshje. Weber, i cili fitoi javën e kaluar mbështetjen e partive të qendrës në Europë për të marrë pjesë në garën për presidencën e Komisionit Europian, tha se Londra ndodhet në ‘trazira politike’ dhe se është më mirë që të ringjallet Europa në periudha të vështirësive se sa shkëputesh nga blloku.
“Alternativa për të dalë nga tregu i përbashkët do të ishte katastrofike për ekonominë britanike. Brexit shkakton vetëm humbje nga të dyja palët. Për ne, europianët, është e rëndësishme të parandalojmë ashpërsimin e kufijve në Irlandë, të sigurohemi që Britania të paguajë të gjithë faturat dhe qytetarët europian në Britani të kenë siguri ligjore. Situata politike në Londër reflekton paaftësinë e britanikëve për të manaxhuar rezultatin e votuesve”, tha Weber.
Konservatori gjerman mposhti ish-kryeministrin e Finlandës Alexander Stubb, duke u bërë kandidati kryesor i Partisë Popullore në zgjedhjet parlamentare në Europë gjatë Majit. Kjo e bën atë një kandidat për postin kryesor të Bashkimit Europian, që është presidenca e komisionit. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, që ka premtuar se do të ndjek Brexit deri në fund, u përpoq të mbrojë projekt marrëveshjen e “divorcit” me Brukselin këtë javë, pas dorëheqjes së sekretarit për Brexit dhe ministrave të tjerë, që vunë strategjinë dhe vendin e saj të punës nën rrezik.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.